“Armistice Day”, FIFA ndalon “lulëkuqen”. Anglezë e skocezë e sfidojnë

03/11/2016 00:00

Të premten e ardhshme, kur Anglia të ndeshet me Skocinë për kualifikueset e Kupës së Botës, pikërisht në ditën e kujtimit të të rënëve në Britani, do të mbajnë në fanellat e tyre simbolin e “lulëkuqes”, që britanikët e mbajnë tradicionalisht në shenjë kujtimi më 11 nëntor të çdo viti, kur kujtojnë të rënët në luftërat botërore.

FIFA ka vendosur që të mos lejojë mbajten e simboleve politike në ndeshjet e kualifikueseve. Por ky vendim duket se do të injorohet nga Federara e Futbollit, në Angli, si dhe ajo skoceze.

Kjo çështje mjaft e ndjeshme për shoqërinë britanike shkoi deri në Parlamentin britanik, ku kryeministrja britanike Theresa May e kritikoi ashpër këtë vendim të FIFA-s. Madje, media britanike e akuzon FIFA-n për qëndrim të dyfishtë, duke botuar në numrin e sotëm, siç bën “The Sun” e Londrës, fotografi të lojtarëve të kombëtares së Irlandës, që në fanellën e tyre ngjyrë jeshileë kanë simbolin e 100-vjetorit të asaj që njihet si Kryengritja e Pashkës e vitit 1916, ku 500 vetë humbën jetën gjatë një rebelimi kundër sundimit britanik.

Çdo vit, në orën 11 të datës 11 të muajit të 11 të vitit, pra në nëntor, britanikët kujtojnë të rënët në luftërat botërore. Kjo lidhet me firmosjen e armëpushimit të arritur më 11 nëntor të 1918-s, mes aleatëve dhe Gjermanisë, për përfundimin e luftimeve në Frontin e Perëndimit, që i dha fund Luftës së Parë Botërore.

Vendimin e FIFA-s e ka dënuar edhe trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ndërkohë që edhe Federata e Uellsit ka kërkuar nga FIFA që të vendosë të njëjtin simbol, atë të “lulëkuqes”, kur të ndeshet po më 11 nëntor me Serbinë.

Anglisë mund t’i zbritën pikë nga klasifikimi, nëse do të këmbëngulë që futbollistët e përfaqësueses në ndeshjen me Skocinë të mbajnë në krah shiritin me lulëkuqen, ndëshkim që mund ta marrë edhe vet Skocia, pasi edhe federata e këtij vendi ka kërkuar që të mbahet ky simbol.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Martin Glenn ka deklaruar se institucioni që ai drejton do të sfidojë FIFA-n për ndalimin e mesazheve tregtare, politike apo të besimit fetar dhe do të pranojë çdo ndëshkim.

Një deklaratë kjo, që gjeti përgjigjen e Sekretares së Përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samba diouf Samoura, e cila theksoi se nuk mund të bëhen përjashtime.

“Britania nuk është i vetmi vend që ka vuajtur pasojat e luftës”, tha Samoura. “Siria është një shembull. Nuk shoh ndonjë arsye pse bëhen përjashtime për një shtet të vetëm dhe jo për të gjithë pjesën tjetër të botës. Anglia duhet të pranojë se këto janë rregullat dhe se ndaj saj mund të ndërmerren edhe sanksione”.

Top Channel