Prodhuesit e duhanit kërkojnë paratë: S’paguhemi për prodhimin

03/11/2016 00:00

Fermerët që kultivojnë duhan në jug-lindje të vendit kanë disa muaj që nuk marrin paratë nga kompanitë grumbulluese në Korçë dhe Elbasan.

“Situata është shumë e keqe, marrin prodhimin dhe nuk japin lekët”, thotë njëri prej kultivuesve. “Prodhimi nuk shitet, edhe kur shitet nuk marrim dot lekët”, denoncon një tjetër.

Janë 170 fermerë të cilët kultivojnë duhan që grumbullohet me 250-300 lekë kilogrami. Shqetësimi i tyre i ngritur tek autoritetet e Agjencisë Kombëtarë të Duhan Cigares ka nxjerrë në pah dhe mungesën e liçencimit të njërës prej kompanive grumbulluese.

“Unë dua shpërblimin për djersën time. Kam familjen për të mbajtur, të mos marr lekët është krim”, ka thënë një fermer.

“Duhet të lidhni kontrata me firmat e liçencuara”, ka sugjeruar Gentian Selami, drejtor i Agjencisë.

Selami ka bërë të ditur se, “Ministria e Bujqësisë, dhe pse s’kishte përgjegjësi direkte për shkak se kjo kompani është e paliçencuar, u ka kërkuar institucioneve përgjegse të marrin masa”.

Tregu i pasigurt dhe problematikat komplekse me të cilat përballen fermerët çdo ditë e më tepër po ndikojnë në tkurrjen e sipërfaqes së kultivimit të duhanit në rajonin jug-lindor.

Top Channel