Basketboll, fitojnë Barcelona dhe UNICS Kazan

03/11/2016 00:00

Barcelona fiton një tjetër ndeshje në Euroleague në basketboll për meshkuj. Skuadra katalanase këtë radhë mposhti Maccabi Tel Aviv në parketin e këtij të fundit me rezultatin 79-69 për ta çuar bilancin e këtij sezoni në 3 fitore dhe 2 humbje.

Barcelona e kryesoi gjatë gjithë kohës këtë ndeshje të cilën në fund e fitoi më një diferencë prej 10 pikësh. Tyrese Rice me 21 pikë ishte basketbollisti më i mirë për skuadrën katalanase, ndërsa për izraelitët ai që u dallua ishte Goudelock me 19 pikë, por që nuk i shërbyen shumë skuadrës së Maccabit.

Në ndeshjen tjetër të Euroleague, Unics Kazan mundi Fenerbahçen me rezultatin 81-73. Ishte një ndeshje ku diferencat mes skuadrave ishin shumë të ngushta, por në fund suksesi i takoi skuadrës ruse për të cilën Langford dhe Parakuski ishin në një ditë të shkëlqyer pasi të dy bashkë shënuan plot 48 pikë. Për Fenerbahce më i miri në parket ishte Bobby Dixon me 23 pikë, që vetëm sa pasuruan statistikat personale të tij.

Top Channel