Berisha: FMN nuk mund të largohet me borxhin mbi 70%

03/11/2016 00:00

Ish kreu i Partisë Demokratike ka kritikuar qeverinë në seancën parlamentare për largimin në shkurt të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Berisha tha se Fondi nuk mund të largohet për sa kohë borxhi është mbi 70%.

“Tani na thotë në shkurt do të vendosim për Fondin. Nuk vendos vetëm ti, nuk vendos qeveria. Qëndrimi apo jo i Fondit duhet t jetë një gjë e përcaktuar nga kriteret dhe jo nga vullnetet. Me borxh mbi 70% fondi nuk mund të largohet për asnjë mënyrë. Ke mashtruar Fondin në mënyrë monstruoze. Morrët borxh verbërisht, vetëm për t’u kapardisur ai tjetri që shet injorancë nga mëngjesi në darkë për të thënë që prura buxhetin më të madh në histori. O i lehtë në mendje, po të marrësh borxh buxhetin mund ta dyfishosh, po barra e tij në të ardhmen të lëshon përtokë”, tha Berisha. Një ditë më parë u bë e ditur se nga shkurti FMN do të ketë vetëm rol këshillues.

Sipas tij edhe ajo që është quajtur rritje rrogash është vetëm indeksim i tyre, dhe se deputetët e Partisë Socialiste vetëm mashtrojnë. “Ajo që u quajt rritje rrogash nuk është as indeksim. Sipas njoftimit të fundit, nuk janë 100 milionë dollarë zotëri, po 64 milionë dollarë. U katandis kokoshi në thelë. U keni shkatërrruar çdo gjë. Këshilli i Ministrave sot ka në bordero 530 vetë punonjës nga 128 që kishte në vitin 2013. Nuk vjen në Parlament ai se regjiston çdo ditë nga një dështim”, vijoi ish kryeministri.

Ahmetaj: FMN e kërkoi vetë maxhoranca aktuale
Ministri i Financave Arben Ahmetaj i është përgjigjur ish kryeministrit Berisha se FMN e kërkoi vetë maxhoranca aktuale, ndërsa qeveria e mëparshme e kishte dëbuar.

“Historiku politik dhe institucional tregon që me FMN kemi dy sjellje të ndryshme ju dhe ne. Marrëveshjem detyruese e kërkuam ne, ju nuk e kishit. E kërkuam për dy arsye kryesore, për ditën e zezë që gjetëm financat publike dhe rritjen ekonomike, dhe domosdoshmërinë për të qënë partnerë në rimëkmëbjen e ekonomisë që sot ka ndodhur”, tha Ahmetaj.

Lidhur me akuzat për rritjen e pagave dhe pensioneve Ahmetaj tha se rritja është reale. “Rritja e pagave është 10% dhe fondi 12 mujor shkon mbi 100 milionë dollarë. Do ta fillojmë në një mars dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve”, tha ai.

Top Channel