Dortmund pezullon sulmuesin Aubameyang

02/11/2016 00:00

Në mënyrë të befasishme, skuadra gjermane e Dortmund ka pezulluar sulmuesin e saj kryesor Pierre-Emerick Aubamenyang. Sipas deklaratës së klubit, lojtari nga Gaboni është pezulluar për “arsye të brendshme”.

Vetëm pak minuta para fillimit të sfidës së Championsit ndaj Sporting Lisbonës, u vu re mungesa e sulmuesit në listën e lojtarëve të përfshirë për këtë ndeshje.

Në intervistën e tij përpara ndeshjes, trajneri i Dortmund, Thomas Tuchel, deklaroi se klubi ka vendosur ta pezullojë deri të enjten, pa dashur të zgjatet më shumë mbi këtë temë.

Mbi këtë situatë të çuditshme të krijuar në skuadër foli edhe drejtori sportiv i Dortmund, Hans-Joachim Watzke, që thotë se sulmuesi do të kthehet në skuadër të shtunën për sfidën ndaj Hamburg.

“Quhen arsye të brendshme sepse janë të brendshme. Nuk dua të shtoj asgjë më shumë. Por e mira e kësaj është se ai do të jetë i çlodhur dhe gati për sfidën ndaj Hamburg. Do të rikthehet në skuadër për ndeshjen e radhës”, tha ai.

27-vjeçari postoi një foto duke darkuar me vëllain të mërkurën në mbrëmje, ndërsa më vonë u pa në shkallët e stadiumit duke parë ndeshjen mes Dortmund e Sporting Lisbon. Ai ka shënuar 10 gola në 13 ndeshje për Dortmund.

Top Channel