Hetimet ndaj Clinton, Obama sulmon kreun e FBI-së

02/11/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, shënjestroi kreun e FBI-së, James Comey, për hetimin e ri të Byrosë mbi e-mail-et e Hillary Clintonit. “Hetimet në Shtetet e Bashkuara -tha shefi i Shtëpisë së Bardhë- nuk duhet të kryhen në bazë aludimesh”.

Ky ishte i pari koment publik i Obamës që kur Comey njoftoi të premten se organizmi që ai drejton kishte gjetur e-maile të reja të cilat do t’i kontrollojë. Presidenti nuk e përmendi drejtuesin e FBI-së me emër, por referimi ndaj tij ishte i qartë.

“U përpoqa shumë që mos duket se dua të ndërhyrj në këtë çështje, por mendoj se është normë këtu tek ne që kur çelen hetime, nuk kalojmë në veprime me informacion të paplotë, nuk funksionojmë në bazë rrjedhjesh të të dhënave. Ne veprojmë në bazë të vendimeve konkrete që merren”, deklaroi Presidenti amerikan.
 
Obama kujtoi se kur çështja u hetua në detaje herën e fundit, përfundimi ishte se Clinton kishte bërë vërtet disa gabime, por asnjëri prej tyre nuk ishte i tillë që të kërkonte procedim penal. Demokratët e kanë kritikuar ashpër FBI-në për nxjerrjen e njoftimit 11 ditë përpara zgjedhjeve me argumentin se ky veprim ndërhynte në procesin politik.

Çështja e e-maile-ve doli në dritë për herë të parë marsin e 2015-s, kur u tha se Clinton kishte shkelur rregullat federale me përdorimin e serverit privat për komunikimin online në periudhën e viteve 2009-2013, kur shërbente si Sekretare Shteti.

Top Channel