Ang Lee nisi në Taipei turin promocional të filmit të tij të fundit, premiera e të cilit në kryeqytetin e Tajvanit shënoi dhe të parën herë që “Billy Lynn’s Long Halftime Walk”, shfaqet në Azi.

Regjisori fitues i çmimit “Oskar” ka angazhuar në një rol dytësor dhe të birin, Mason Lee, i cili shkeli tapetin e kuq së bashku me yllin e filmit, aktorin britanik Joe Alwyn.

Krijimi i ri i Ang Lee-së sfidon mënyrën tracidionale të prodhimit të filmave, pasi prezantohet në 3D me nivelin e paprecedent të 120 frameve për sekondë. Filmat deri më sot janë përcjellë në 24 frame për sekondë dhe zgjedhja e Lee-së synon t`i ofrojë shikuesit eksperiencën e një realiteti gati të prekshëm.

“Kinematë në Tajvan shfaqin filma në 24 frame për sekondë e gjithashtu në 3D. Mendoj se 3D-ja është shumë e përshtatshme për të përcjellë narracione dramatike në veten e parë. Është ndryshe ta shohësh filmin në këtë format të ri, i cili rrëfen më shumë për historinë vetë. Unë shpresoj që njerëzve t’ju pëlqejnë të dyja variantet”, deklaroi regjisori Lee.
 
25-vjeçari Joe Alwyn shprehu mirënjohjen e tij për faktin që ka punuar me një regjisor të këtij profili në një kohë kur është në fillimet e karrierës së vet si aktor.

Aktualisht, nuk ka shumë kinema që mund ta transmetojnë “Billy Lynn” në këtë formë, megjithatë Ang Lee është i vendosur ta ndjekë linjën në vazhdimësi për t’i shtuar përjetimin eksperiencës së filmit në të ardhmen.

Top Channel