Clinton braktiset nga afro-amerikanët?

02/11/2016 00:00

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë vetëm një javë larg dhe në këtë moment të ethshëm të fushates elektorale, për Hillary Clinton mbërrin një lajm jo i mirë.

Votimet e parakohshme tregojnë një rënie të pjesëmarrjes së afro-amerikanëve, e cila nuk është në nivelin e përpara katër viteve.

Kjo, thotë “New York Times”, e ndërlikon akoma më shumë situatën e kandidates demokrate, që e ka humbur epërsinë e thellë ndaj rivalit Donald Trump.

Në kohën kur miliona amerikanë kanë hedhur votat e tyre në atë që shihet si mobilizimi më i madh i regjistruar ndonjëherë mes votuesve të hershëm në zgjedhjet presidenciale, shifrat dëshmojnë se po ndodh ajo së cilës demokratët i druheshin.

Arsyeja e rënies së pjesëmarrjes duket të jetë si logjistike, ashtu edhe politike. Entuziazmi i zgjedhësve është zbehur ndjeshëm në shtete si Karolina e Veriut, ku numri i votuesve me ngjyrë që zgjodhën ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese është tkurrur në 22% nga 27.3% që ishte në 2012-n.

Pjesëmarrja e të bardhëve nga ana tjetër, vota e të cilëve shihet si favorizuese për Trump, është rritur me 15%. Demokratët po planifikojnë një përpjekje të fundit agresive në këtë shtet, ku të përfshihet dhe një vizitë e presidentit Obama.

Pjesa e elektoratit me ngjyrë në Florida është zvogëluar edhe ajo në 16% nga 25% që ishte përpara katër vitesh. Problemet për demokratët nuk përfundojnë këtu.

Rrudhje të pjesëmarrjes së afro-amerikanëve në procesin zgjedhor ka pasur edhe në Ohajo, sidomos në zonat e konsideruara si bastione të tyre pranë Klivlendit, Kolumbusit dhe Toledos.

Përparësi Clintonit mund t’i japë fakti që një pjesë të mirë të mbështetjes ajo e ka vendosur tek elektorati hispanik dhe votueset e bardha femra, sidomos ato të arsimuara, të cilat edhe mund ta kishin marrë në konsideratë votën për republikanët, por që neveria ndaj Trump i shtyn drejt kampit kundërshtar.

Top Channel