Beteja për Kolonjën, një mjek dhe një jurist përballë njëri-tjetrit

02/11/2016 00:00

Kolonjarët do të zgjedhin më 20 nëntor kryetarin e ri të Bashkisë. Por pavarësisht se fushata ka nisur më shumë se 2 javë më parë, ethet e garës mes agrarëve dhe socialistëve nuk ndihen askund.

Ilia Stefo dhe Dritan Hajro garojnë përballë në qytetin e tyre të lindjes, por thonë se nuk njohen me njëri-tjetrin. Gara elektorale nuk e ka prishur qetësinë e qytetit, ku mungojnë posterat dhe flamujt e partive, ndërsa për politikë flitet vetëm në kafenetë e vogla.

Për dy rivalët, dita nis njësoj, ndarja e punës me stafin e më pas takimet me banorët. Teksa na njeh me planet e tij për Ersekën dhe Leskovikun, Ilia Stefo na rrëfen momentin e propozimit të kryeministrit dhe arsyen përse pranoi menjëherë.

“Unë e dua Kolonjën, jo e dua por e dashuroj dhe dua të punoj me përkushtim të plotë”, thotë Stefo.

Prej 30 vitesh punoi si kirurg dhe ende është i dashuruar me profesionin, aq sa një zgjidhje duket se e ka gjetur.

“Kam premtuar dhe do ta mbaj fjalën që 1 orë në ditë, kur të jemë i lirë nga punët e bashkisë, do t’u shërbej qytetarëve sic u kam shërbyer më parë. Kirurgjinë e kam pasur zanat dhe pasion dhe nuk do ta braktis atë”, thotë Stefo.

Baba i dy djemve, Stefo ka një dedikim edhe për familjen e tij. “Në këtë rrugë të re që ndërmorra, që nuk e kisha parë asnjë ëndërr, kam mbështetjen e familjes, të cilëve u kërkoj falje se mbase nuk u kam qëndruar sa duhet pranë”, shprehet Stefo.

Dritan Hajro, kandidati i opozitës, ka vendosur t’i qëndrojë larg mediave. Prej vitesh ai ndan ditët mes Tiranës dhe Ersekës.

“Unë nuk kam ikur kurrë nga Kolonja, thjesht kam qenë banor i dy qyteteve. Gjatë këtyre viteve kam takuar njerëz që jetojnë në mjerim të plotë, që duan ta braktisin këtë vend. E kam vënë qëllim në vetëvete, tek unë shohin njeriun e duhur në krye të bashkisë së Kolonjës”, thotë Hajro.

Babai i dy fëmijëve dhe jurist në profesion, Dritan Hajro rrëfen për Top Channel prioritetet e punës së tij si kryebashkiak nëse fiton garën më 20 nëntor.

“Puna e parë do të jetë ndërtimi i ujësjellësit të Ersekës. Do të punojmë fortë me biznesin dhe në 2 vjet do të hapim 350 vende të reja pune”, vijon Hajro.

Çfarë avantazhi mendojnë se kanë ndaj njëri-tjetrit dy kandidatët?

“Unë jam goxha më i ri në moshë nga rivali im dhe kam më shumë energji se ai”, thotë Hajro.

“Unë mendoj se avantazh kam se luaj në fushën time”, shprehet Stefo.

A janë të sigurtë në fitore?

“Këtë garë do ta fitoj dhe është e fituar”, thekson Hajro.

“Nuk i trembem fare disfatës se nuk do t’i kisha hyrë fare kësaj gare nëse do të mendoja se nuk do të fitoja”, shprehet Stefo.

Top Channel