Martirë… dhe “kriminelë”? 38 dëshmorët e kishës ende fajtorë me vendim gjykate

02/11/2016 00:00

Për Kishën Katolike, minimumi shteti shqiptar duhet të kërkojë një ndjesë për 38 martirët e saj. Top Channel kontaktoi me konstitucionalistin Çlirim Gjata, avokatin Spartak Ngjela dhe ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku dhe të tre ata kishin të njëjtin qëndrim, 38 martirët janë edhe zyrtarisht të pafajshëm, edhe pse jo në formën e duhur kushtetuese.

Gjata shpjegon se në vitin 1991, Gjykata e Lartë nisi rishqyrtimin e dosjeve të të dënuarve politikë, duke i shpallur disa prej tyre të pafajshëm, por duke parë numrin e madh të kërkesave, u vendos që kjo pafajësi të shmangte gjykatën e të miratohej me anë të një ligji nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Është pikërisht ligji 7514, i datës 30 shtator 1991, ai i cili i shpall të pafajshëm të gjithë ata persona që jane dënuar, ekzekutuar apo internuar për ato që në atë kohë quheshin “krime kundër shtetit”, për të cilat u akuzuan dhe 38 martirët.

Që nga ky ligj më pas burojnë të gjitha benifitet për ish-të përndjekurit apo familjarët e të dënuarve. Por, juridikisht, ky ligj është anti-kushtetues, pasi është vetëm gjykata ajo që mund të shpallë të pafajshëm një person.

Avokati Ngjela shprehet, se edhe pse jo në formën e duhur, të gjitha palët u dakordësuan dhe e pranuan këtë ligj si zgjidhjen më të mirë të mundshme për vënien në vend të një padrejtësie. A ishte kjo zgjidhja më e mirë e mundshme? Sërish debatet janë të shumta.

Sipas juristëve, zgjidhja më e përshtatshme do të ishte një vendim unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe do të shuante njëherë e mirë të gjitha debatet lidhur me pafajësinë e personave të dënuar gjatë regjimit komunist.

Top Channel