Largohet Volkswagen, Rally humbet ekipin pretendent

02/11/2016 00:00

Një skuadër prestigjioze dhe me pretendime në thuajse çdo edicion të botërorit të Rally nuk do të jetë më në garat spektakolare të makinave. Kompania Volkswagen ka bërë të ditur tërheqjen e ekipit nga turneu interkontinental i VVRC në fundin e këtij sezoni. Bëhet fjalë për tërheqjen e dytë të një marke gjermane të njohur pas lamtumirës së parakohshme të Audi që do të largohet nga kategoria “endurance”.

Gjithçka nga skuadra e Volkswagen i faturohet çështjes së pagëzuar me emrin “dieselgate” që nga tifozët njihet ndryshe si shkurtimi i shpenzimeve duke nisur nga sektori i motorsportit. Kështu bie edhe mundësia për furnizimin e makinave Polo VRC në një skuadër të jashtme për vitin e ardhshëm.

Lajmi i keq për botën e garave vjen një garë nga fundi i botërorit që zhvillohet në Australi. Kështu 4 herë kampioni i botës Sebastien Ozhie’ duhet të gjejë një tjetër destinacion për të ardhmen, ndërsa pilotë të tjerë të njohur si Latvala dhe Mikelsen, mund të garojnë nën markën e Ford.

Top Channel