Replikat e forta të Dukës me deputetin Braçe

02/11/2016 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka hyrë në një polemikë shumë të fortë me deputetin socialist, Erion Braçe, njëherazi tifoz futbolli. Polemika që merr zjarr nga futbolli ka edhe nota të forta politike. Ja disa prej replikave që ata kanë shkëmbyer në rjetet sociale.

Armando Duka, president i FSHF-së: Nuk jam i shqetësuar për fyerjet, por për të vetmin fakt, se statuset e tij publike, të thëna jo thjesht nga bluza e një tifozi, por nga kostumi i një politikani e parlamentari, janë nxitje e pastër dhune në futbollin shqiptar.

Erion Braçe, deputet i PS-së: Duhet ta pranoj se, fyerjet e tua të njëpasnjëshme, më dhanë mundësinë të kuptoj se më cilin kam të bëj, gjithnjë në cilësinë e tifozit pasionant. Paraja e madhe nuk është status në shoqëri, as pushtet mbi të tjerët, kurrë; nuk të bën njeri më të mirë!.

Armando Duka: Ka shumë politikanë tifozë fanatikë kudo në botë, por të gjithë janë të kujdesshëm dhe për shkak të pozicionit që kanë dhe impaktit që kanë në opinionin publik, që të mos përdorin një gjuhë të tillë si ajo prej rrugaçi e Braçes.

Erion Braçe: President, po ta them që në krye të herës, unë jam kundërshtari yt; kundërshtar i gjithë asaj që ti ke ndërtuar e që po e rrënon futbollin. Po të akuzoj dhe do vazhdoj të të akuzoj, duke qenë i drejtë gjithnjë.

Armando Duka: Unë dhe bashkëpunëtorët e mi mund t’i kapërdijmë shpifjet e tua për Federatën, por që të nxisësh dhunë në futbollin shqiptar siç bën me Parlamentin dhe zonën e cila të zgjodhi deputet, këtë jo, këtë nuk e bën dot as me futbollin shqiptar dhe as me Federatën.

Erion Braçe: Ti mendon, ti vendos, ti urdhëron, ti vepron, në kundërshtim me çdo parim të qeverisjes së mirë të një organizate, por në funksion të interesave të tua. Kjo është arsyeja përse ti, në mënyrë të qëllimtë, nuk pranon, nuk lexon, nuk shpërndan, nuk diskuton, nuk analizon raportin e hetimit të UEFA-s mbi paracaktimin e rezultateve sportive.

Armando Duka: Kur të kalojnë helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë për dezifenktimin e mushkonjave në Divjakë, rri dhe ti aty: të paktën të jesh një mushkonjë që nuk shpërndan dhunë.

Top Channel