Burgu dhe futbolli, Alexis Sanches i fundit në grackë

02/11/2016 00:00

Burgu dhe futbolli janë kryqëzuar shpeshherë në të kaluarën e me të gjitha gjasat do të ndërthuren sërish në një valë interesash dhe influence për para. Por nëse qelia ka kërcënuar shpeshherë drejtuesit, duket se rastet e Lionel Messi-t, Javier Mascherano, Adrianos e Samuel Eto’ po vendosin në shënjestër edhe yjet në fushë.

I fundit që ka përfunduar në fokusin e organeve fiskale spanjolle është Alexis Sanches. Sulmuesi i Arsenalit është futur në telashe pas një hetimi që është hapur për fshehje të taksave. Sanchez po akuzohet se në vitin 2012 për sa kohë ishte pjesë e Barcelonës, i fshehu institucioneve financiare 980 mijë euro.

Siç raporton e përditshmja spanjolle El Periodico, futbollisti kilian do të përballet me organet e drejtësisë në Spanjë, pasi dyshohet se ai ka kryer evazion fiskal. Alexis dyshohet se ka transferuar të drejtat e imazheve të tij në një kompani të quajtur “Numidia Trading”, 99% të aksioneve të të cilës i zotëron vetë ai, por që nuk i kishte deklaruar. Madje ka dyshime se kjo kompani nuk ka fare strukturë operacionale. 

Në denoncimin e bërë nga prokurori spanjoll Migel Angel Perez de Gregorio, kujtohet se Sanchez pretendon se në momentin e firmës me Barcelonën, ishte pronar i të drejtave të imazhit. Kjo nënkupton se sulmuesi i “Topçinjve” duhet të mbrohet tashmë nga dy akuza për evazion dhe nëse nuk arrin një marrëveshje si Lionel Messi, mund të përfundojë në burg.

Top Channel