Marrëveshje me FMN-në, Financat mbyllin bisedimet për buxhetin e 2017

02/11/2016 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi dakortësinë për buxhetin e vitit 2017, por me një kusht:  Misioni i FMN ka arritur marrëveshjen me autoritetet e Shqipërisë për buxhetin e vitit 2017 dhe politikat e tij bazë, kushtëzuar nga zgjidhja e kënaqshme e detyrimeve të qeverisjes qëndrore, që kanë ridalë në sipërfaqe.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se buxheti forcon më tej financat publike të vendit.
 
“Buxheti parashikon një suficit primar prej 0.7 për qind e prodhimit kombëtar”, tha Ahmetaj.

“Për të arritur këtë objektiv  qeveria shqiptare është angazhuar në një paketë fiskale që përfshin rritjen e të ardhurave lidhur me naftën, kufizimin e përjashtimeve tatimore dhe rritjen e mbulimit dhe fuqizimin e tatimit mbi pronën”, thotë Anita Tuladhar, kreu i misionit të FMN-së në Shqipëri.

Kreu i Financave e konsideroi sukses programin tre vjecar me fondin monetar që sipas tij rimëkëmbi ekonominë.

“Gjatë tre viteve të fundit programi me FMN ka qenë një referencë e rëndësishme për të gjithë programin qeveritar dhe sidomos për reformat në fushën e financave publike, të cilat ishin tejet të rëndësishme si për aspiratat integruese të vendit, ashtu edhe për modelin tonë të rritjes ekonomike. Në bazë të këtyre reformave krijimi i detyrimeve të reja të prapambetura është vënë nën kontroll. Në bashkëpunim ne kemi eliminuar dhe pengesa të tjera të rëndësishme për zhvillimin e vendit, dhe sot jemi duke zbatuar politika që po japin impaktin e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, tha Ahmetaj.

Misioni i FMN do të rikthehet në Tiranë në janar të vitit të ardhshëm për të vijuar diskutimet përmbyllëse të marrëveshjes e cila skadon në shkurt dhe sipas qeverisë nuk do të rinovohet më në formën aktuale, por do të jetë një marrëveshje këshilluese .

Top Channel