Basha, aleancë kundër hashashit. Ftesë indirekte edhe Metës

02/11/2016 00:00

“Përgjigjia për ne është fare e thjeshtë, se Edi Rama nuk është pjesë e zgjidhjes, por është vetë problemi”. Lulzim Basha e bëri këtë përkufizim për kryeministrin duke e bërë përgjegjës për shndërrimin e vendit, siç thotë, në një narko-republikë.

“Se droga në Shqipëri nuk ra nga qielli, por është projekt i Edi Ramës për të prishur zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe se ky projekt erdhi në jetë me kriminalizimin e shtetit, ndaj Edi Rama refuzon të zbatojë dekriminalizimin”, deklaroi Basha në fund të mbledhjes së grupit.

Basha po përpiqet të ndërtojë një aleancë të gjerë dhe më pas të nisë një aksion me veprime konkrete për largimin e Edi Ramës. Këtu ai nuk sheh më shumë se dy ngjyra.

“Ky është edhe kufiri që ndan bardh e zi dy lloj forcash politike. Kush e konsideron veten pjesë të krimit dhe mbështetet tek krimi e droga për të prishur zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojë në anën e zezë dhe do të përballet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që janë në anën tjetër me në krye Partinë Demokratike dhe aleancën tonë”, tha Basha.

Por a mund të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim pjesë e kësaj aleance? Lulzim Basha nuk thotë jo.

“Se ky nuk është kuiz po apo jo?! Kur vjen puna për një aleancë kundër drogës, krimit dhe për zgjedhje të lira e të ndershme, edhe çdo deputet socialist që ka guximin ta thotë publikisht atë që mendon privatisht është i mirëpritur në këtë betejë. Koalicionet elektorale janë një çështje tjetër”, tha Basha.

Top Channel