Halili: Kthimi i Josës, për të shpëtuar Tiranën

02/11/2016 00:00

Mirel Josa është prezantuar për të tretën herë në karrierë, si trajner i skuadrës bardheblu të Tiranës. Në një konferencë për shtyp, për herë të parë presidenti Refik Halili, përpara prezantimit të Josës ka folur për largimin e Ilir Dajës, për të cilin ka një tjetër post brenda skuadrës.

“Sakrifikova një njeri shumë të mirë profesionist, me shumë vlera dhe mik, për të arritur e për të bërë një gjë edhe më të madhe, që dua ta bëjmë ne të gjithë së bashku si klub. Jam i bindur se me grupin që kemi, ne jemi të sigurtë drejt objektivit tonë minimal që quhet kupat e Europës”, tha Refik Halili, president i Tiranës.

Nëse do t’u hedhim një sy rezultateve të këtyre 9 javëve të Kategorisë Superiore, kur bardheblutë u drejtuan nga Daja, bie në sy vetëm një humbje, 3 fitore dhe 5 barazime. Shifra që i mbajnë bardheblutë në vendin e katërt në klasifikim, me vetëm 6 pikë larg kreut, kur ka ende edhe 3 faza.

Gjithsesi, largimi i Dajës, nën zë ka të bëjë me konfliktet e brendshme, gjë që Josa u zotua t’i sheshojë që në prezantimin e tij.

“Nuk është problemi që do të vijë Mireli te Tirana dhe klubi do të dalë kampion me se s’bën. Ka një objektiv, ndërsa mua më intereson që të kem një harmoni në grup, gjë që do të na çojë drejt sukseseve. Pikat e dobëta do t’i shohim në vazhdimësi. Nuk mund të flas për skuadrën, sepse për mua të gjithë lojtarët janë në gjendje të luajnë për këtë klub”, tha Mirel Josa, trajner i Tiranës.

Edhe në dy bashkëpunimet e mëparshme, Josa e ka marrë Tiranën pasi kishte filluar kampionati. Në vitin 2003, ai e mori drejtimin e klubit pas javës së 8 nga Sulejman Mema dhe arriti ta shpallë kampion, por u largua pas eliminimit në Champions League nga Ferencvaroshi.

Ndërkohë, në tentativën e dytë, Josa e mori ekipin në shkurt të vitit 2006 dhe u largua në nëntor të atij viti, kur kryesonte Superioren me 4 pikë më shumë sesa vendi i dytë. Nisur nga këto, nuk dihet çfarë mrekullie mund të bëjë më tepër Mirel Josa, që të bindë më shumë se në dy rastet e para drejtuesit e Tiranës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel