Veliaj: Po caktojmë vendet ku do ndërtohen 20 shkollat e reja

02/11/2016 00:00

Teksa më herët bashkia kishte bërë të ditur se do të ndërtoheshin 20 shkolla të reja në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se aktualisht po caktohen vendet se ku do të bëhen këto ndërtime.

Veliaj ishte këtë të mërkurë në kopshtin “Peter Pan”, tek 21 dhjetori, një nga kopështet më të mëdha të Tiranës.

“Kjo ka qenë një sfidë! Mbaj mend kur isha këtu në verë dhe tani nuk e dalloj dot nëse ështëi njëjti kopsht, aq shumë ka ndryshuar, deri në detaje: këndi i lojërave, tualetet e bëra me kujdes, dhomat e gjumit, kuzhina e ngrënies”, tha Veliaj. Ai siguroi se tashmë të gjitha kopshtet në të cilat është ndërhyrë në këto muaj, kanë kushte shumë herë më të mira se më parë dhe të krahasueshme edhe me kopshtet e tjera në vendet fqinje.

Veliaj siguroi se investimet në infrastrukturën arsimore do të vazhdojnë me shkollat, ndërsa ka bërë të ditur se po evidentohen vendet se ku do ndërtohen 20 shkollat e reja.

“Do të vijmë sërish në njësinë 7 edhe me disa projekte për shkollatë reja, për ndërhyrjet që po bëjmë nëpër lagje dhe shumë shpejt do kemi caktuar vendndodhjet e 20 shkollave të reja në Tiranë. Me të bërë këtë, nga viti tjetër do të nisim ndërtimin e tyre, që edhe çështja e shkollës me dy turne të zgjidhet në Tiranë. Mrekulli nuk bëjmë dot, por po të vazhdojmë përditë me punë është mënyra më e mirë se si mund ta çojmë qytetin përpara. Kemi harxhuar shumë kohë me llafe, gjumë e stërkëmbsha, tashmë është koha që të punojmë fort dhe të kapim gjithë kohën që kemi humbur”, tha Veliaj.

Top Channel