Kosovë, Armand Duka vlerësohet me çmimin e “Mirënjohjes” nga MKRS

02/11/2016 00:00

Presidenti i Federarës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është nderuar nga Qeveria e Kosovës. Në një ceremoni të zhvilluar në Prishtinë, ai është vlerësuar me çmimin “Mirënjohja” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për kontributin e dhënë prej tij në futbollin shqiptar, në mënyrë të veçantë për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

“Ky është një akt i vogël i yni, simbolik, por që përfaqësojnë kulmin e besimit që kemi ne ju dhe punën që keni bërë gjatë viteve të fundit në shërbim të futbollit shqiptar në përgjithësi, ku përveç futbollit në Shqipëri dhe kombëtares kuqezi, edhe për ndihmesën që keni dhënë për afrimin dhe lidhjen e futbollistëve tanë, që ne të kemi një skuadër shqiptare përfaqësuese të të gjithë shqiptarëve. Edhe pse duket paradoksale, njerëzit që kanë ndjekur punën tuaj, bashkë me kryetarin e FFK-së, kanë parë që ju keni punuar paralelisht për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, një fushë ku ne kemi pasur më shumë probleme në planin ndërkombëtar. Kulmi i së cilës është anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA. Ajo natë e Budapestit, kur Federata e Kosovës u njoh, ka qenë një nga netët më të gëzueshme, sepse unë e konsideroj si të vetmen betejë të vërtetë të fituar prej meje”, tha Kujtim Shala.

Ndërsa vet presidenti Duka deklaroi se është shumë i lumtur për këtë vlerësim, që i është bërë nga qeveria kosovare.

“Realisht kjo e sotmja është një nga ditët më të lumtura të miat, për këtë mirënjohje që jep Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për kontributin që nuk do ta konsideroja personal, por të Federatës Shqiptare të Futbollit, për zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe ndihma e saj për ndërkombëtarizimin dhe njohjen e Federatës së Kosovës në FIFA dhe UEFA. Për këtë doja të falënderoja shumë dhe sinqerisht ministrin Shala. Falënderoj gjithashtu edhe kolegun e mikun tim Fadil Vokrri, si bashkëpunëtor i ministrit në këtë mirënjohje. E vlerësoj shumë konsiderimin e kontributit të FSHF-së nga të gjithë miqtë e vëllezërit tanë në Kosovë. Puna për pranimin e FFK-së ka qenë një betejë shumë e vështirë, por që e fituam duke qenë të gjithë bashkë dhe duke kontribuar maksimalisht dhe bashkërisht. Ishte detyrimi ynë dhe e konsideroj një fitore të rëndësishme”, u shpreh Armand Duka.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast ishte edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili ashtu sikurse ministri Shala, falënderoi homologun e tij Duka për kontributin e dhënë prej tij, duke shtuar se shpreson në vazhdimin e bashkëpunimit.

Top Channel