Boshatiset “xhungla” në Calais, ikin edhe fëmijët e fundit

02/11/2016 00:00

Autoritetet franceze nisën mëngjesin e kësaj të mërkure transferimin edhe të fëmijëve të fundit të mbetur në kampin e refugjatëve në Calais (Kalè), i cili tashmë mund të konsiderohet i mbyllur plotësisht.

Rreth 1.500 fëmijë strehoheshin në të ashtuquajturin “xhungla”, për shkak të rrethanave tepër të rënduara në të cilat jetonin refugjatët e ardhur nga vendet e luftës. Transporti i fëmijëve të pashoqëruar nga prindër u bë me autobusë për në qendrat e pritjes anembanë vendit, ndërsa vendi ku ishte ngritur kampi është mbushur prej një jave me buldozerë që kanë sheshuar gjithçka.

Fati i fëmijëve mbetet i paqartë, por autoritetet franceze i kanë pajisur ata me dokumente, teksa kanë njoftuar se asnjë aplikim i ri për transferim në Britaninë e Madhe nuk do të procesohet në Calais (Kalè). Rastet e këtyre fëmijëve do të shqyrtohen individualisht nga zyrtarë britanikë, sapo të kenë mbërritur në qendrat e pritjes nëpër Francë, siç bëri të ditur presidenti francez, François Hollande.

Kampi i Calais (Kalèsë) ka qenë strehë për rreth 6.000 refugjatë nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët shpresojnë të kalojnë përmes tunelit që lidh Francën me Anglinë, e për të filluar një jetë krejtësisht të re në Britani.

Por këto dy vende kanë debatuar gjatë rreth faktit se ku do të qëndrojnë fëmijët emigrantë, teksa qeveria e Parisit i ka bërë thirrje Londrës të pranojë më shumë prej tyre. Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka marrë 270 fëmijë, të cilët kanë të afërm në Mbretërinë e Bashkuar, ose konsiderohen veçanërisht të pambrojtur.

E ndërsa ata u kanë ikur luftës dhe varfërisë në vendet e tyre të origjinës, skenat e shëmtuara i kanë shoqëruar edhe në Europë. Të martën në mbrëmje, policia ka ndërhyrë për të shuar një grindje mes 100 personave, të krishterë nga Eritrea dhe adoleshentë myslimanë afganë, që u përleshën me sende të forta mes tyre.

Top Channel