Policia në Bullgari ka konfiskuar një shifër prej 13 milionë eurosh kartëmonedhash false, të gjitha me prerje 500 euroshe. Shifra e madhe u gjet e fshehur në rezervuarin Mechka, në afërsi të qytetit Purvomai, në zonën jugore të vendit.

Megjithatë, policia po pret që kartëmonedhat të thahen plotësisht për t’i rinumëruar ato dhe për të mësuar vlerën e saktë. Tre shtetas bullgarë janë arrestuar lidhur me këtë çështje, si dhe janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm armësh.

Një prej personave të arrestuar, pronar i një shtypshkronje, është dënuar me 6 vite burgim për falsifikim parash.

Kryeprokurori Sotir Tsatsarov tha se zbulimi ishte “një prej shumave më të mëdha të eurove të falsifikuara, që policia kishte hasur ndonjëherë”. Po ashtu, prokurori shtoi se falsifikimi ishte bërë në mënyrë thuajse të përkryer, ndaj dhe ishte shumë e vështirë për t’u dalluar.

Më herët, Banka Qendrore Europiane vendosi të nxjerrë nga qarkullimi deri në vitin 2018 kartëmonedhën 500 euroshe, të njohur ndryshe me nofkën “Bin Laden”, për shkak të frikës se ajo ndihmon veprimtaritë kriminale, përdoret për pastrim parash, por edhe për faktin që ka shumë njerëz nëpër botë, që nuk kanë mundësi të kenë në duar një kartëmonedhë të tillë.

Në vitin 2013, policia portugeze konfiskoi 380 mijë euro, me prerje 200 euroshe, të cilat po ashtu ishin të një “cilësie të jashtëzakonshme imitimi”.

Top Channel