Shteti që vendos për Shtëpinë e Bardhë

02/11/2016 00:00

Kur në shtator shpërthyen protestat në Charlotte, qendrën financiare të Karolinës së Veriut, pas vrasjes së një të ri me ngjyrë nga ana e policisë, komuniteti afro-amerikan tha se rasti në fjalë nxorri më shumë në pah një realitet që ekziston prej kohësh në këtë shtet.

Votuesit më ngjyrë besojnë se republikanët nuk adresojnë siç duhet shqetësimet e tyre në lidhje me diskriminimin dhe në Karolinën e Veriut, ashtu si edhe në shtetet e tjera, votojnë në pjesën më të madhe demokratët.

Por ndarjet etnike dhe klasore në Karolinën e Veriut po zhduken. Në këtë shtet, gjërat po ndryshojnë me shpejtësi. Ka fluksin më të madh të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, një rritje të shpejtë të hispanikëve dhe të të bardhëve të mirëarsimuar të vendosur në Raleigh-Durham dhe Charlotte. Të gjithë këta votojnë kryesisht demokratët.

Por ka një masë të madhe të varfërish të bardhë që jetojnë në periferi. Ata janë shtresa më e pakënaqur në këtë shtet. Dikur pjesa më e madhe e tyre punonin në industrinë e tekstileve, industri që thuajse është zhdukur për shkak të zhvendosjes në Vietnam apo Bangladesh të fabrikave të prodhimit.

Donald Trump ka premtuar se do të rikthejë këto fabrika në Shtetet e Bashkuara sërish me politika lehtësuese dhe megjithëse pjesa më e madhe e kësaj shtrese nuk e besojnë, ata mendojnë se ai të paktën ka më shumë gjasa ta provojë diçka të tillë më shumë sesa Hillary Clinton.

Të gjitha këto karakteristika e bëjnë Karolinën e Veriut një shtet vendimtar në zgjedhjet e së martës. Në 2004 votuan republikanët, në 2008 demokratët dhe në 2012 sërish republikanët. Donald Trump shpreson ta ruajë këtë sepse e di që për të është thuajse e pamundur që të hyjë në Shtëpinë e Bardhë nëse nuk fiton këtë shtet. 

Top Channel