Bashkëpunimi me “EUROPOL”, Çako: Policia shqiptare, vlerësime për luftën ndaj krimit

02/11/2016 00:00

Policia e Shtetit ka marrë vlerësime maksimale nga organizata e Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit, EUROPOL. Në një bisedë telefonike për Top Channel nga zyrat qendrore të organizatës, numri 1 i policisë Haki Çako zbuloi detaje nga takimi me drejtorin Rob Wainwright.

“Pas disa operacioneve të përbashkëta, ku policia shqiptare ka qenë aktive me të gjitha kapacitetet e saj, qoftë edhe në aspektin e shkëmbimit të informacionit kemi vlerësime maksimale. Organizata e policisë së Shqipërisë mori vlerësimet maksimale nga drejtori i EUROPOL-it. Takimi me kryesor ishte me drejtorin Rob Wainwright i cili foli për marrëdhënie të shkëlqyera”, tha Çako.

I pyetur mbi debatin mbi kanabisin dhe paralajmërimin e presidentit Nishani për thirrjen e këshillit kombëtar të sigurisë, kreu i policisë u përgjigj:

“Nuk jam i predispozuar të bëj komente politike. Partnerët e kanë thënë opinion e tyre, qoftë edhe komisioneri Avramopulos, i cili foli qartë. Politika do bëj të vetën, por polica do jetë gjithmonë në luftë kundër çdo trafiku apo organizimi kriminal”, u shpreh Haki Çako.

Top Channel