Papa Françesku: Europa nuk duhet të ketë frikë nga emigrantët

01/11/2016 00:00

“Nuk duhet të trembemi nga refugjatët, sepse Europa është ndërtuar mbi bazat e integrimit të vazhdueshëm të kulturave të ndryshme”. Kështu është shprehur Papa Françesku në lidhje me krizën më të rëndë të refugjatëve që ka parë Europa që prej Luftës së Dytë Botërore. “Nëse Suedia zvogëlon kapacitetet e pritjes, nuk besoj se këtë gjë e bën për egoizëm, por sepse nuk arrijnë të gjejnë kohën e duhur për të gjithë”, shtoi më tej Ati i Shenjtë.

“Nuk mund t’i mbyllim zemrat tona përpara refugjatëve, pasi nëse ndodh kjo, në një periudhë afatgjatë do të paguajmë politikisht. Këshilltari më i keq për vendet që tentojnë të mbyllin kufijtë është frika, ndërsa këshilltari më i mirë është maturia”.

I pyetur nga një gazetar suedez, në fluturimin e kthimit drejt Romës pas festimeve të 500-vjetorit të Luteranizmit (Reformës së Luterit), Papa Françesku i është rikthyer nevojës për të mirëpritur emigrantët, gjë për të cilën të hënën në Malmo kishte falënderuar qeveritë mikpritëse.

Më tej, ai ka shpjeguar mendimin e tij në lidhje me Suedinë, një shtet që së bashku me Austrinë, Norvegjinë dhe Danimarkën kanë pezulluar prej muajsh lëvizjen e lirë, e që siç vendosi disa ditë më parë Komisioni Europian, nuk do të ketë ndryshim deri në fund të vitit, për t’u shtyrë kushedi se kur.

Papa Françesku e ka kthyer çështjen e emigrantëve në një prej prioriteteve të tij, që prej udhëtimit të parë të bërë në Lampeduza në vitin 2013. Gjatë këtyre javëve, kur Bashkimi Europian po tenton të gjejë një linjë të përbashkët, ndërsa vështirësitë e disa shteteve po u bashkohen frikave të vjetra dhe të reja, duke prodhuar ndasi e duke larguar zgjidhjet, Papa është përpjekur të futet në llogoret e suedezëve për të kuptuar se cilat janë vështirësitë e tyre për të pritur refugjatë, në një kohë kur shteti nordik tashmë ka bllokuar kufijtë.

“Mbi të gjitha, si argjentinas dhe amerikanojugor që jam, falënderoj Suedinë për këtë mikpritje, sepse ka shumë argjentinas, kilianë apo uruguajanë, të cilët gjatë kohës së diktaturave ushtarake atje janë pritur nga Suedia. Një vend me një traditë të vjetër mikpritjeje dhe, jo vetëm i ka pritur, por edhe i ka integruar ata duke iu dhënë shtëpi, arsimim, punë”. Ai kujtoi se nga rreth 9 milionë suedezë, rreth 850 mijë janë “suedezë të rinj” duke iu referuar kështu emigrantëve, refugjatëve apo fëmijëve të tyre.

Top Channel