PD: Rama po luan me energjinë, qytetet e vendit pa drita

01/11/2016 00:00

Sekretari organizativ në PD, Enno Bozdo ka hedhur akuza ndaj qeverisë për keqmenaxhim të sistemit energjitik në vend, duke lënë sipas tij për orë të tëra pa drita qytetet kryesore të vendit.

“Prej afro dy orësh pjesa më e madhe e qytetit të Tiranës është në errësirë. Ndërsa i ftohti ende s’ka filluar, Tirana dhe shumë qytete të tjera, prej ditësh po vuajnë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike”, ka thënë Bozdo.

Sipas tij, luhatjet e forta të tensionit dhe ndërprerja e energjisë kanë sjellë djegie të pajisjeve elektro-shtëpiake dhe humbje për biznesin.

“Çmimi i energjisë është rritur, por drita s’ka. Faturat aforfe kërcasin gjithandej, por në këtë fillimdimri, energjia po ndërpritet si kurrë më parë. Edi Rama të fut në burg për faturën, por kur digjen pajisje, kur i lë në errësirë qytetarët, kur u shkakton humbje bizneseve, kush mban përgjegjësi, kush duhet të shkojë në burg”, është shprehur Bozdo.

Top Channel