Itali, lëkundje me magnitudë 4.8 në zonën qendrore

01/11/2016 00:00

Italia qendrore u godit nga lëkundja më e fortë deri më tani, që prej tërmetit të 30 tetorit. Luhatjet e reja të tokës kishin një intensitet të magnitudës 4.8. Epiqendra nuk ishte larg fshatrave të prekur nga tërmeti i së dielës, ndërsa lëkundjet janë ndierë deri në Perugia, Ancona dhe disa pjesë të Romës.

Edhe në këtë rast nuk ka raporte për viktima në njerëz, por në zonë janë rrëzuar disa godina të tjera, të cilat i kishin rezistuar tërmetit të mëhershëm.

Mbi 1.100 lëkundje janë regjistruar në rajonet qendrore të Italisë që prej së dielës, e sipas zyrtarëve lokalë, ky tashmë po kthehet në një makth që nuk ka fund.

Toka atje, sipas gazetës “Corriere della Sera”, është ulur me 70 centimetra. Kryeministri Matteo Renzi vizitoi së fundi fshatin Preci dhe premtoi rindërtimin e tij, edhe pse – siç tha, – një gjë e tillë do të kërkojë kohë.

Top Channel