Gërryerja e lumenjve, masakra mjedisore vazhdon

01/11/2016 00:00

Masakra mjedisore vazhdon! Edhe pse në Shqipëri, me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, është i ndaluar me ligj shfrytëzimi i baseneve të lumenjve, përsëri abuzimet vazhdojnë.

Mjafton të jesh udhëtar në rrugën e Kombit që të jesh dëshmitar i abuzimit mbi lumin Mat, ku shihet me sy të lirë që në mes të ditës eskavatorët gërryejnë shtratin e këtij lumi.

Në takimin e kësaj të marte, “Fiks Fare”, pas një investigimi, ka sjellë pamje ku duken qartësisht kamionët me inerte të marra nga shtrati i lumit, të cilat lëvizin pa u shqetësuar nga askush.

I pyetur mbi lejet e dhëna mbi shfrytëzimin e lumenjve, Arben Pambuku, nga Ministria e Bujqësisë tha:

“Sot në Shqipëri me përjashtim të basenit të lumit Buna, nuk ka leje për shfrytëzimin e inerteve nga shtretërit e lumenjve. Për lumin Drin dhe Buna lejet janë deri në vitin 2018.

Ndërsa me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të ARRSH është përcaktuar që për nevoja të aksesit kombëtar mund të merren inertë. Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mjedisit tashmë po punohet për përcaktimin e vendeve që do të shfrytëzohen.

Aktualisht lejet e firmave që punojnë mbi lumin Mat janë të përfunduara. Ndërsa gjobat për shkelje shkojnë nga 5 milionë lekë të reja, deri në konfiskimin e të gjitha mjeteve që përdorin”, deklaroi Pambuku.
 
Ndërsa Altin Gjino, përgjegjës i sektorit të baseneve dhe materialeve inerte pranë IKMT, tha:

“Ne kontrollojmë të gjitha firmat që operojnë mbi shtratin e lumenjve. Në mungesë të lejeve të posaçme apo lejeve të dhëna nga Agjencia e Baseneve ne marrim masat përkatëse.

Momentalisht është një grup pune që po operon mbi shtratin e lumit Mat, nga infot që kam nga terreni rezultojnë dy firma që njërës i ka skaduar leja e rehabilitimit të shtratit të lumit, ndërsa tjetra pretendon se e ka, por nuk ka prezantuar dokumentacion.

Në momentin që nuk prezanton dokumentacion ne mbajmë aktin e konstatimit dhe marrim masën përkatëse me gjobë. Për lumenjt e tjerë ne mundësitë nuk i kemi që t’i kontrollojmë të gjithë njëherësh, por kjo bëhet me një plan pune, duke marrë njërin nga lumenjt nga fillimi deri në fund dhe pastaj hidhemi tek një lum tjetër.

Njëkohësisht, në rastet që dalim jashtë planit të punës janë rastet e denoncimit nga qytetarët dhe nga mediat, të cilat i falenderojmë pasi na ndihmojnë në kryerjen e punës tonë”, pohoi Gjino.

I kontaktuar sërish pas një jave, zoti Gjino u shpreh se ende nuk janë marrë masa administrative për dy firmat private në fjalë, pasi dokumentacioni përkatës i secilës prej tyre është ende në proçedim.

“Pas shqyrtimit të plotë do të jetë Drejtoria Juridike që do të përcaktojë masën administrative mbi shkeljen e bërë”, tha ai.

Problemi i shkarjeve të tokës në Shqipëri është i pranishëm në thuajse të gjitha krahinat. Një fenomen ky i paralajmëruar prej kohësh nga specialistët, që theksojnë se rreth 150.000 hektarë tokë janë të kërcënuara prej prishjes së ekuilibrit dhe përdorimit pa kriter të tokës.

Kjo ka bërë që proçeset gërryese të mbizotërojnë mbi ato pedogjenetike e tokëformuese. Ndryshimet klimatike dhe veçanërisht sasia dhe intensiteti i shiut në periudha të caktuara gjatë viteve kanë nxjerrë problemet e mëdha mbi gërryeshmërinë e tokës.

Top Channel