Blushi, luftë me “libra”. Themelon partinë me në fokus “Ramën”

01/11/2016 00:00

Partia e Ben Blushit u shpall mes njerëzish të panjohur publikisht, por për Blushin rëndësi ka kurajoja e tyre.

“Mirëmbrëma të gjithëve, mirëmbrëma libra”.

Që kur u tërhoq nga lëvizja për mendimin ndryshe në Partinë Socialiste, 7 vite më parë, skeptikët se Ben Blushi nuk do të finalizonte një parti të vetën nuk kanë qenë pak. Por tani, “Libra” e Ben Blushit është një realitet.

“E verdha e ‘Libra’-s përfaqëson mençurinë, optimizmin dhe inteligjencën”, tha Blushi.

Por çfarë është tjetër “Libra”, përveçse një lojë fjalësh e frymëzuar nga emri i partisë së re të Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit, “Lista e barabartë”?

“Libra” do të thotë dije, do të thotë liri. Libra do të thotë ekuilibër, peshore dhe drejtësi. Libra është të qenit i lirë dhe i drejtë. Libra nuk paragjykon askënd. Është e hapur si një katror i barabartë për të gjithë, që ka kufi vetëm ligjin dhe moralin publik”, shtoi më tej Blushi.

Kë përfaqëson “Libra”? Ben Blushi e përkufizoi si parti e qendrës, një strehë për të varfërit dhe një busull për shtesën e mesme.

“Mund të jesh i dobët dhe je Libra. Mund të jesh i varfër dhe je Libra. Mund të jesh i papunë dhe je Libra. Mund të jesh i kamur dhe je Libra. Mund të jesh i pashpresë dhe je Libra. Mund të jesh i pastrehë dhe je Libra. Duhet të jesh i ndershëm që të jesh Libra”, bëri të ditur Blushi.

Ben Blushi beson se Shqipëria mund të bëhet, por jo pa 3 shtyllat e “Libra”-s.

“Këto janë 3 arsyet që më kanë nxitur të jem pjesë e këtij projekti: dija, liria dhe ekuilibri social. Dhe unë besoj se kurrë në jetën time nuk kam marrë një vendim më të drejtë, sesa ai që kam marrë për të qenë pjesë e ‘Libra’-s”, tha Blushi.

Ben Blushi e quan “Libra”-n projektin e dritës, por ai ka edhe një projekt tjetër: një libër që pritet të botohet së shpejti dhe që ai e quan “projekti i errësirës”.

Nëse realiteti Libra do t’i ngjante romanit ende të pabotuar të Ben Blushit, “Kryeministri”, mund të thuhet se Ben Blushi ka marrë rolin e snajperit, një personazh që duhet të ndihmonte kryeministrin të rizgjidhej, por që vrau atë.

Top Channel