Lufta kibernetike, Britania premton t’i kundërpërgjigjet agresivitetit të Moskës

01/11/2016 00:00

Prezantimin e strategjisë së re pesëvjeçare të sigurisë kibernetike të vendit, Sekretari britanik i Thesarit, Philip Hammond e bëri duke e përqëndruar vëmendjen te kërcënimet e aluduara ruse.

Gjatë një konference për teknologjinë në Londër, Hammond nënvizoi linjën që do të ndjekë Anglia në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike, si pjesë e një plani 1.9 miliardë paundësh të njoftuar më herët.

Qeveria, sipas tij, do të rrisë mburojën e shërbimeve dhe ekonomisë së saj nga sulme të kësaj natyre, e do të inkurajojë industrinë të bëjë të njëjtën gjë.

“Ata që duan të na dëmtojnë në fushën e shkencës së komunikimeve dhe sistemeve automatike të kontrollit, duket se mendojnë që mund të hidhen në veprim masivisht e të pafrenuar nga dikush. Detyra jonë është t’iu tregojmë se nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar. Ndaj ne, jo vetëm do të jemi në gjendje ta mbrojmë veten në këtë fushë, por në momentin që do të sulmohemi nuk do të ngurrojmë aspak të kalojmë në kundërsulm”, tha Philip Hammond, Sekretar i Thesarit në Britani.

Marrëdhëniet mes Londrës dhe Moskës, të tensionuara pas vrasjes së ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, në kryeqytetin britanik, u ashpërsuan edhe më shumë pas ndërhyrjeve ruse në Ukrainë dhe Siri.

Drejtori i Përgjithshëm i “MI5”-s, Andrew Parker i tha gazetës “the Guardian” se, Rusia ka qenë një kërcënim i fshehur për dekada me radhë dhe se, ajo që ndryshon tani nga periudha e Luftës së Ftohtë është shumëllojshmëria e metodave të saj për të ndjekur në vazhdimësi axhendën kundër Perëndimit.

Top Channel