SHBA, Trump ngushton diferencën me demokraten Clinton

01/11/2016 00:00

Rënia e entuazizmit për kandidaten demokrate Hillary Clinton është reflektuar qartë në sondazhin e fundit të “Washington Post” dhe “ABC News”, i cili vendos në avantazh kundërshtarin e saj republikan, pas një periudhe relativisht të gjate spostimi në vend të dytë.

Donald Trump ka tani një epërsi të lehtë ndaj rivales së madhe për Shtëpinë e Bardhë. Anketimi i jep atij 46% të preferencave, ndërsa Clintonit 45%. Shifrat tregojnë, sidoqoftë, se gara vazhdon të mbetet tepër e ngushtë.

Në 3 sondazhet e parafundit, Clintoni vazhdoi ta ruante kryesimin me një apo dy pikë, por trendi ishte qartazi ai i ngushtimit të hendekut mes saj dhe Trumpit, diferenca me të cilin, përpara ndërhyrjes së FBI-së, ishte e madhe dhe e qëndrueshme, aq sa për një moment u mendua se fati i zgjedhjeve të nëntorit mund të ishte vulosur.

Vendimi i Byrosë Federale për t’i rinisur hetimet mbi çështjen e “e-mail”-eve të dërguara nga serveri privat, në kohën kur Clinton kishte shërbyer si Sekretare Shteti, duket se ka pasur edhe më shumë peshë se skandalet e ngacmimeve seksuale të Trumpit, sepse gara sot është më e ashpër nga sa ishte në mesin e tetorit, kur ndaj miliarderit nisi vërshimi i akuzave, të cilat ai vet vazhdon t’i mohojë.

Po çfarë do të ndodhte nëse e gjithë bota do të kishte diçka për të thënë në zgjedhjet amerikane? Gazeta gjermane “Die Zeit” u kërkoi njerëzve në pjesë të ndryshme të globit të votonin “online”.

Kryeredaktori Jochen Wegner thotë se, deri tani kanë numëruar 100 mijë vota, duke u kujdesur të përsërisë se sondazhi është thjesht një “lojë”. Sipas tij, nga ky lloj votimi rezulton se Trumpin e mbështesin rreth 30% e gjermanëve dhe plot 70% e rusëve.

Top Channel