Mourinho, dy akuza brenda një jave nga Federata

01/11/2016 00:00

Trajneri portugez i Manchester United, Jose Mourinho është akuzuar për herë të dytë brenda një jave nga Federata e Futbollit në Angli, këtë herë për shkak se ka abuzuar verbalisht me një gjyqtar gjatë një takimi në “Premier League”.

Mourinho është përjashtuar nga pankina gjatë barazimit të United me Burnleyn në “Old Trafford ditën e shtunë, ndërsa Federata e ka akuzuar për sjellje të pahijshme sepse ka përdorur “fjalë abuzime apo ofenduese drejt një zyrtari të ndeshjes” në tunelin e dhomave të zhveshjes, pas përfundimit të 45 minutave të para.

Mourinho u shfaq tepër i irrituar kur gjyqtari Mark Clattenburg nuk i akordoi një 11-metërsh United, pasi mbrojtësi i Burnleyt, Jon Flanagan ndërhyri ashpër ndaj Matteo Darmian në zonën e rreptësisë. Clattenburg nuk e konsideroi si ndërhyrje të gabuar këtë herë.

Kjo nuk është hera e parë që Mourinho përfshihet në telashe me autoritetet angleze të futbollit, pasi ngriti dyshimet nëse do të ishte e vështirë për gjyqtarin Anthony Taylor të “jepte një performancë të mirë” në takimin kundër Liverpoolit, më 17 tetor. Edhe për këtë deklaratë, ai u akuzua gjatë së enjtes së kaluar.

Top Channel