Rusia, Shoigu: Bisedimet për paqe në Siri janë shtyrë pa afat

01/11/2016 00:00

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi se dështimi i Perëndimit për të ndalur islamikët e dhunshëm në Siri ka si pasojë shtyrjen për një afat të papërcaktuar të rinisjes së bisedimeve për paqen.

Sipas Shoigu, rebelët e mbështetur nga qeveritë perëndimore kanë sulmuar civilët në Aleppo, pavarësisht ndërprerjes së bombardimeve ruse dhe siriane. Në të njëjtin kuadër, Moska bëri me dije se ndërprerja e përkohshme e bombardimeve është në fuqi aktualisht, por s’mund të zgjatet, nëse rebelët nëpër qytete nuk ndalin sulmet.

Ndërkohë Kombet e Bashkuara paralajmëruan se, në kaosin e Aleppos, të gjitha palët ndërluftuese mund të jenë duke kryer krime lufte, si pasojë e sulmeve pa dallim në zona civile. Rusia mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad, ndaj dhe fushata ushtarake ruse ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin e tij, diçka që ka përplasur Moskën me Perëndimin, që kërkojnë largimin e Assad nga pushteti.

Ministri rus i Mbrojtes, Shoigu, në një takim me ushtarakë rusë kritikoi rebelët dhe mbështetësit e tyre, duke thënë se humbën një mundësi për paqen.

“Është koha që kolegët tanë perëndimorë të vendosin se kundër kujt po luftojnë: terrorizmit apo Rusisë. Mbase ata kanë harruar se nga duart e kujt u vranë të pafajshmit në Belgjikë, Francë, Egjipt, Irak e në vende të tjera”, deklaroi Shoigu.

Sipas ministrit rus, shkatërrimi i terrorizmit kërkon bashkëpunimin dhe jo pengimin e punës së partnerëve, duke iu referuar vendimit të disa vendeve europiane, që nuk lejuan flotën ruse të ankoronte në portet e Mesdheut për t’u furnizuar.

Top Channel