Dekriminalizimi, Rroshi u qëndron pohimeve të formularit

01/11/2016 00:00

Pak javë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për të duke e lënë të lirë nga arresti shtëpiak, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, paraqitet në Prokurori.

Për më shumë se 30 minuta nën shoqërinë e avokatit mbrojtës, Elvis Rroshi ka pohuar para prokurorit Enkild Gjini se vijon t’u qëndrojë të gjitha deklaratave publike të dhëna menjëherë sapo nisën hetimet për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Por ndërsa këmbëngul se nuk mban mend se për çfarë është proceduar nga shteti italian, Rroshi ju ka kërkuar prokurorëve t’i paraqesin dokumentat e dërguara nga vendet ku thuhet se ai ka patur probleme me drejtësinë. Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati i tij.

“Është një marrje në pyetje pas 5 muajve e Rroshit. Është situata që ka qenë në fillim dhe jemi në pritje të letërporosisë që do të vijnë nga e tjera”, deklaroi avokati Theodhori Sollaku. 

Prokuroria dyshon se kryebashkiaku i Kavajës nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të 1995 në Campobasso, nuk ka deklaruar dëbimin nga Italia dhe Zvicra  si edhe ne nuk ka deklaruar se është arrestuar në 1997 me urdhër të Gjykatës së Zyrihut.

Me këto argumente për dyshimet se kishte falsifikuar e vetëdeklarimin, me herët prokuroria kërkoi arrestimin e tij duke marrë nga gjykatat e dy shkallëve arrestin shtëpiak, ndërkohë që Gjykata e Lartë e urdhëroi kreun  e bashkisë së Kavajës që të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji pranë akuzës.

Top Channel