Stafi i Clinton akuzon FBI për standarde të dyfishta

01/11/2016 00:00

Stafi i Hillary Clinton ka akuzuar kreun e Byrosë Federale të Hetimit se po përdor standarde të dyfishta në lidhje me hetimin e rinisur për çështjen e e-maileve të kandidates demokrate për Presidente, në kohën kur ishte në krye të Departamentit të Shtetit.

Reagimi ka mbërritur menjëherë pas raportimeve në mediat amerikane se vetë kreu i FBI-së ka urdhëruar vartësit që të mos akuzojnë publikisht Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, përfshirë këtu edhe mundësinë që të qëndrojë pas publikimit të këtyre mesazheve.

Sipas raportimeve, James Comey ka qenë pro një deklarate të përbashkët të Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, bërë më 7 nëntor, por ka kundërshtuar bërjen publike të kësaj deklarate para zgjedhjeve të nëntorit.

“Agjencitë amerikane të inteligjencës janë të bindura se qeveria ruse drejtoi operacionin e kompormentimit të e-maileve të shtetasve dhe institucioneve amerikane, përfshirë këtu edhe të organizatave politike me qëllim përdorimin e tyre për ndikim në procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratën e rënë dakort edhe nga vetë Comey.

Stafi i Clinton kërkon nga FBI që të hetojë lidhjet e Donald Trump me Rusinë.

“Nuk mund të shihet ndryshe nga ç’është; një standard i dyfishtë i kreut të FBI-së. Zoti Comey duhet të shpjegojë menjëherë këtë dhe të aplikojë të njëjtin standard për Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, ashtu si për Hillary Clinton”, deklaroi manaxheri i fushatës së kandidates demokrate, Robby Mook.

Vetë Clinton deklaroi gjatë një takimi në kuadër të fushatës së saj se nuk i trembet hetimit të rihapur dhe se nuk ka asgjë për të fshehur në kompjuterin e saj personal, ndërsa Shtëpia e Bardhë reagoi duke thënë se nuk besonte se kreu i FBI-së ka rihapur dosjen Clinton për të ndikuar në rezultatin e procesit zgjedhor.

Top Channel