Metoda që kthen dioksidin e karbonit në oksigjen

01/11/2016 00:00

Kimistët e dinë të gjithë që kur vjen puna tek molekulat, ato janë dembele dhe nuk e kanë me dëshirë të madhe ndryshimin. Por nëse ngacmohen siç duhet ato jo vetëm që ndryshojnë, por kthehen edhe në burime jetike për ekzistencën tonë.

I tillë është zbulimi i bërë pa dashje nga kimistët Arthur Suits dhe David Parker dhe i botuar në revistën Science. Dy shkencëtarët kanë mundur të shkëputin nga formula tradicionale e fotosintezës dioksidin e karbonit dhe jo vetëm e kanë shpërbërë atë, por e kanë shndërruar edhe në oksigjen.

Procesi u vu re në momentin kur dioksidi i karbonit goditej me lazer me një sasi të përmbajtur energjie.

“Dihet që dioksidi i karbonit kërkon minimumin e energjisë për t’u shpërbërë në dy lëndë, në oksigjen dhe monoksid karboni”, thotë Arthur Suits.

Fillimisht dioksidi i karbonit ndahej në monoksid karboni dhe një molekulë oksigjeni, që për të qenë i dobishëm për ne duhet të ketë dy molekula, pra O2. Pikërisht këtë bënë dy studiuesit e Universitetit të Kalifornisë. Ata ishin në gjendje që në fund të të gjithë procesit të siguronin një molekulë karboni dhe dy molekula oksigjeni.

Suits dhe Davies përdorën ato që njihen si rrezet ultraviolet me vakuum, e cila në kushte natyrore bashkëvepron me dioksidin e karbonit në pjesën e sipërme të atmosferës tonë.

Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen kjo teknikë mund të përvetësohet akoma më mirë për të shtuar sasinë e oksigjenit në atmosferë, ndërsa shprehen se mund të shërbejë edhe për të kuptuar më mirë sesi është formuar oksigjeni në atmosferën tonë.

Deri më tani, teza kryesore është ajo që pohon se pjesa më e madhe e oksigjenit në Tokë është formuar gjatë eventit që njihet si “Oksigjenëzimi i Madh”, që besohet se ka ndodhur rreth 2.4 miliardë vite më parë.

Top Channel