Petro Koçi: Dekreti i Presidentit cënon çështjen çame

31/10/2016 00:00

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi mbrojti qëndrimin e shprehur përmes rrjeteve sociale kundër vendimit të Presidentit të Republikës për të dhënë medalje për 65 anëtarët e Ballit Kombëtar të pushkatuar nga Mehmet Shehu në Lushnje në tetor të vitit 1943.

I ftuar në Top Story, Petro Koçi jo vetëm që i qëndroi kundër vendimit të Presidentit, por pasi lexoi dokumentin e një oficeri gjerman, që sipas tij, dëshmon se të Balli Kombëtar bashkëpunonte me nazistët, tha se ky akt kompromenton sot çështjen çame.

“Dekreti i Presidentit është plotësisht i gabuar dhe antinacionalist. Është në momentin e gabuar, në kohën kur Greqia justifikon mbajtjen ende në fuqi ligjit të luftës me argumentin se çamët bashkëpunuan me fashizmin. Ky vlerësim i Presidentit  kompromenton antifashizmin e Shqipërisë”, u shpreh ai.

Megjithatë, zv.ministri i Mbrojtjes dënoi ashpër vrasjen e tyre. Ai tha se është haptazi krim, por që nuk mund të nderohet.

”Dekreti i presidentit është benzina që i hedh zjarrit. Për mua është akt i papjekur që nuk është konsultuar si duket”, shtoi ai.

Ndërkohë, të ftuar në panel, historianët Uran Butka dhe Ana Lalaj dhanë mendimet e tyre për ngjarjen në fjalë. Që të dy ata ranë dakort se ka patur një pendim të vetë Mehmet Shehut kohë më vonë, duke e cilësuar pushkatimin e tyre si “një masë të pamasë”.

“Më 21 tetor, Brigada e Parë sulmuese me komandant Mehmet Shehun sulmuan çetat Balliste të Myzeqesë në zonën e Divjakës. Frymën e vrasjes së robëve të luftës dhe armiqëve tek partizanët e futën jugosllavët sepse nuk e kanë patur. Motivi i vërtetë i vrasjes ishte asgjësimi i kundërshtarëve politikë për të marrë pushtetin. Ishin antifashistë dhe kanë luftuar edhe në krah të partizanëve në Mallakastër në 1943”, deklaroi Uran Butka.
 
“Nga 65 vetët e pushkatuar një pjesë janë marrë nga arat, nga shtëpitë dhe vetë Shehu organizon një gjyq të vogël aty. Mehmet Shehu është penduar më vonë për këtë dhe thotë që ishte një masë e pamasë”, shtoi historiania, Ana Lalaj.

Ajo kërkoi nga klasa politike që të mos ushtrojë presion ndaj historianëve dhe t’i lënë ata të punojnë për të, ndërsa shtoi se Presidenti i ka parashikuar njëfarë reagimi me vendimin e marrë.

“Presidenti e ka parashikuar njëlloj reagimi që do të ketë kosto, por denoncimi i një krimi lufte besoj se ka më shumë vlera sesa kostoja që del duke e kundërshtuar atë”, nënvizoi Lalaj.

Analisti Agron Gjekmarkaj mbrojti vendimin e Presidentit dhe po ashtu edhe deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, ndërsa Mustafa Nano ishte kundër dhënies së medaljes. Ai e quajti makabritet dhe krim luftë pushkatimin e tyre, por që nuk plotëson kushtet që ata të quhen heronj.

Top Channel