Kuqezinjtë e Bundesligës, Abrashi dhe Mavraj në “vitrinë”

31/10/2016 00:00

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme kualifikuese si ajo ndaj Izraelit në nëntor, trajneri i kombëtares shqiptare Giani de Biasi vazhdon të marrë sinjale pozitive nga lojtarët e impenjuar në kampionatet europiane.

Dy prej emrave të kontigjentit të kuqezinjve që me të gjitha gjasat do të jenë edhe në listën e ardhshme kanë fituar me meritë një vend në formacionin e javës në Bundesliga.

Mërgim Mavraj dhe Amir Abrashi janë përfshirë në 11-shen më të mirë të javës e kjo falë formës fantastike që po kalojnë respektivisht te Kolni dhe Freiburgu.

Mbrojtësi kosovar ishte titullar si gjithmonë në fitoren e Kolnit 3-0 ndaj Hamburgut, pasi u tregua një digë në prapavijën e skuadrës së tij. Futbollisti i lindur në Gjermani po luan sezonin e dytë me Kolnin dhe ka zhvilluar deri tani 31 ndeshje.

Ndërkohë Amir Abrashi prej kohësh është kthyer në një pikë referimi te mesfusha e Freburgut, atje ku shkëlqeu edhe në sfidën e fundit të Bundesligës. Werder Bremen humbi ndaj miqve ndërsa lojtari kuqezi arriti të shënojë edhe një gol.
 
Në 11-shen më të mirë të javës në Bundesliga, Mavraj dhe Abrashi janë krah yjeve të tillë si Arjen Robben apo Robert Lewandowski.

Top Channel