Konkurrenca tek Arsenal, “luftë” për një vend në mesfushë

31/10/2016 00:00

Ka një arsye pse Granit Xhaka po vuan për të gjetur vijueshmërinë në formacionin titullar të Arsenalit, kjo për shkak të alternativave të shumta që ka në skuadrën londineze të futbollit.

Blerja më e shtrenjtë e pretendentëve të Premier Leagues ka shënuar disa gola të bukur, por sërish trajneri Wenger po i jep kohë të përshtatet me kampionatin e ri.
Portieri Petr Cech, mendon se konkurrenca e shtuar sidomos në mesfushë, po i jep shumë opsione stafit teknik dhe po e bën Arsenalin një kandidat të denjë për trofe.

Arsenal fitoi 4-1 ndaj Sunderland në ndeshjen e fundit, ku mes shënuesve ishin dhe mesfushorët ofensivë Ozil dhe Chamberlain. Pikërisht një rivalitet i tillë do të duhet edhe për të përballuar fushata si Liga e Kampioneve, Premier si dhe dy kupat e Anglisë.
 
“Mesfusha jonë aktuale i mundëson trajnerit të zgjedhë mes kualitetit. Ne kemi konkurrencë për çdo vend dhe kjo është fantastike sepse e bën çdo lojtar të japë maksimumin e të jetë në gatishmëri. Po ecim mirë në Champions dhe në kampionat e shpresojmë që të lëmë pas fatin e keq që na përndoqi vitin e kaluar me dëmtimet”, tha portieri çek.
 
Arsenal është aktualisht në një kryesim të trefishtë në Angli me Manchester City dhe Liverpool, ndërsa mban vendin e parë në grup në Ligën e Kampionëve.

Top Channel