Kuotat në Universitete, në disa degë nuk ka më maturantë në pritje

31/10/2016 00:00

Afatet e gjata ndërmjet raundeve për të aplikuar, renditja e fituesve, procesi i ankimimit e më pas regjistrimi mund të konsiderohet si një ndër hapat që duhet përmirësuar vitin e ardhshëm në skemën e re të pranimit të studentëve.

“Tejzgjatja e kohës për regjistrimin mund të krijonte një problem të tillë që, një pjesë e kandidatëve menduan se nuk do të fitonin në degën që kërkonin dhe u regjistruan aty ku kishin dalë”, deklaron Andrea Maliqari, rektor i Universitetit Politeknik.

Për herë të parë mbeten kuota të paplotësuara në degën e Arkitekturës dhe ndonëse procesi vijon nuk ka më maturantë në listë pritjeje.

“Në Arkitekturë janë regjistruar 179 nga 183 kuota, ndërsa në Inxhinierinë Matematike dhe atë Fizike janë 90 të regjistruar nga 130 kuota”, saktëson Maliqari.

Po kështu, edhe në Universitetin e Mjekësisë në degën Farmaci ka 14 kuota bosh dhe nuk ka maturantë në listë pritjeje. Kjo ka një kosto për universitetet, pasi do të thotë më pak të ardhura se sa kishin planifikuar.

“Natyrisht që kjo pjesë është e rëndësishme për universitetin, pasi çdo student paguan një tarifë shkollimi, që lidhet me gjithë procesin e financimit ku mbështetet universiteti, krahas grantit që jep ministria”, shton Maliqari.

Në fund të procesit do të bëhet një analzië mbi skemën e re të pranimit për të bërë përmirësimet duhura për vitin tjetër.

Top Channel