Panariti në Lushnje: Fond garancie për fermerët

31/10/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shkoi në fshatin Goricaj të Divjakës për t’u takuar me fermerët që po protesojnë kundër çmimit të ulët të domates në treg.

Fermerët i thanë ministrit se pikat e grumbullimit bien ne dakord me njëra-tjetrën për fiksimin e çmimeve, ndaj kërkuan që kjo situatë  të marrë fund sa më parë.

Nga ana tjetër, një përfaqësues i grumbulluesve e justifikoi problemin me bllokimin e eksportit. Panariti u tha fermerëve se ministria po punon për një mekanizëm që me marrëveshje mes palëve do të caktojë çmimin referencë.

“Ne së bashku me pikat e grumbullimit dhe ju duhet të dakordësohemi për një çmim reference bazë, poshtë të cilit nuk mund të shkohet. Modeli do të bëhet si në Europë, ku mbrohet prodhuesi. Me ankande fillestare, ku gjithësecili ofron çmimin dhe bëhet një mesatare e çmimit po atë ditë”, deklaroi Panariti.

Ministri tha se do të meren masa dhe për ata grumbullues të cilët mashtrojnë me çmimet dhe do krijohet një fond i ngurtësuar që do t’u mbahet atyre në rast se nuk likuidojnë fermerin.

Top Channel