Elbasan, Zaranika e dëmtuar; bashkia nuk e merr në dorëzim

31/10/2016 00:00

Përroi i Zaranikës në perëndim të qytetit të Elbasanit ka pësuar dëmtime të rënda në të gjithë gjatësinë e tij, duke u kthyer në një rrezik serioz për përmbytje në qytet.

Ky përrua, i cili ka qenë në inventarin e Bordit të Kullimit dhe Ministrisë së Bujqësisë, pas reformës territoriale ka kaluar nën juridiksionin e Bashkisë së Elbasanit.

Kjo e fundit shprehet se e ka të pamundur me fondet e saj të ndërhyjë në këtë përrua, ndaj dhe i kërkon Ministrisë së Bujqësisë të marrë përsipër investimin, i cili llogaritet në rreth 2 milionë euro.

“Përroi është një rrezik aktual për Elbasanin. Gjendja e tij është 70 për qind e dëmtuar dhe bashkia e ka të pamundur kthimin në gjendjen e mëparshme. Vlera e ndërhyrjes është 2 milionë euro. Rast pas rasti janë bërë ndërhyrje pjesore, por duhet ndërhyrje në gjithë gjatësinë e tij”, deklaron Irland Sina, Agjencia e Shërbimeve Publike.

Përroi i Zaranikës kalon në Bashkinë e Elbasanit në një gjatësi prej 5 km, ç’ka do të thotë që në rast të përmbytjeje ai përfshin një pjesë të madhe të qytetit. Me afrimin e dimrit, përroit i duhet një ndërhyrje urgjente për të parandaluar pasojat e degradimit.

Top Channel