PD, Alibeaj: Rama mbron Balilajn për hir të parave

31/10/2016 00:00

Kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama se po bën çdo përpjekje që të shpëtojë Klement Balilajn.

Në një deklaratë për shtyp, Alibeaj ka deklaruar se, edhe pse i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i skeduar si “Eskobari i Ballkanit”, dje, “me gjuhën e Edi Ramës”, Balilaj tha se për këtë fajin e ka Saliu.

“Ndonëse për Balilajn ka një urdhër arresti, Edi Rama i jep mbrojtje, nuk e arreston, madje e ruan me shefat e tij të policisë, ndërsa ai pushon në hotelin e tij luksoz në Sarandë. Kaq i rëndësishëm është Balilaj për Edi Ramën, sa sipas tij shpallja në kërkim si koka e trafikut të drogës në Ballkan është komplot “amerikano-grek”, kundër Edi Ramës. Dhe s’ka faj, në shtetin e Edi Ramës nuk e di ku fillon krimi e ku mbaron shteti, ku fillon shteti e ku mbaron krimi”, ka deklaruar Alibeaj.

Ai është shprehur se, “propaganda e Edi Ramës e nxorri Balilajn shenjtor, por meqë është kaq i pafajshëm, meqë atij dhe Edi Ramës po i bien në qafë opozita, Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA, policia greke, pse nuk ia dorëzon drejtësisë që të vërtetojë pafajësinë e tij?”.

“Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA dhe policia greke kërkojnë arrestimin e Balilajt, por Edi Rama nuk e arreston dot. Sepse ai është peng i krimit dhe i trafikut të drogës. E sollën në pushtet, po e mbajnë në pushtet dhe shpreson se do t’i garantojnë pushtet. Për para dhe pushtet, Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, ta bëjë dhe hero “Eskobarin e  Ballkanit”, Klement Balilajn”, ka shtuar Alibeaj.

Top Channel