Kosovë, protestë në Drenas kundër dënimeve ndaj komandantëve të UÇK-së

31/10/2016 00:00

Një grup veteranësh lufte dhe qytetarësh të Drenasit janë mbledhur këtë të hënë në sheshin kryesor “Fehmi Lladrovci” të qytetit, për të protestuar kundër dënimit nga Gjykata e Apelit të një grupi të pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës për krime lufte.

Në mesin e tyre është edhe ish-kryetari i komunës, Nexhat Demaku, i cili dha dorëheqjen vetëm një ditë pasi gjykata vendosi për fajësinë e tij.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në protestë, Xhemë Binaku, zyrtar i Komunës së Drenasit, ka thënë se i mban shpresat te Gjykata Supreme e Kosovës, e cila – siç beson ai, – do të hedhë poshtë si plotësisht të padrejtë vendimin e Gjykatës së Mitrovicës, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, në bazë të të cilit Nexhat Demaku është njëri ndër të dënuarit me burg.

Ndërsa Enver Hajdari, kryetar i OVL-ve të UÇK-së në Drenas tha se, po protestojnë për padrejtësitë që po u bëhen luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dënimi i bashkëluftëtarëve, sipas tij po bëhet mbi akuza të pabaza dhe të ardhura nga Beogradi.

“UÇK-ja ka ditur të mbrojë vendin në momente të caktuara, ndërsa edhe ne tani do ta mbrojmë”, tha Hajdari.

Top Channel