NBA, fitojnë Oklahoma e Golden State. Shkëlqen Westbrook

31/10/2016 00:00

Largimi i Kevin Durant nga Oklahoma City duket se i ka bërë mirë Russell Westbrook. Ky i fundit ishte protagonisti kryesor për skuadrën e “Thunder”-save, teksa e drejtoi atë drejt fitores së tretë sezonale në NBA.

Këtë radhë, Oklahoma mposhti Los Angeles Lakers me rezultatin 113-96, me Westbrook që shënoi 33 pikë, rrëmbeu 12 topa në tabelë dhe dha 16 asiste. Janë pikërisht këto shifra, që e vendosin emrin e tij në historinë e NBA-së, si një prej 4 lojtarëve që kanë regjistruar statistika dyshifrore në të tre parametrat e këtij sporti, për herë të dytë në 3 ndeshjet e para të kampionatit.

Në fitoren e Oklahomës ndaj LA Lakers dha kontributin e tij edhe Randle, që e mbylli sfidën me 20 pikë e 9 topa në tabelë.

Kevin Durant nuk mbetet pas ish-shokut të tij të skuadrës. I bashkuar me Golden State, ai e drejtoi skuadrën e “Warriors”-ave drejt fitores së dytë në këtë sezon, të arritur ndaj Phoenix Suns 106-100. Durant shënoi 37 pikë në këtë ndeshje, ndërkohë që atij iu bashkua edhe Stephen Curry me 28, duke bërë që Golden State të harrojë krejtësisht disfatën me San Antonio Spurs, që mesa duket nuk ka ndërmend të ndalet.

Skuadra teksane regjistroi fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur këtë radhë Miami Heat 106-99. Ashtu si në dy ndeshjet e para, edhe këtë radhë ai që spikati ishte Leonard me 27 pikë, ndërkohë që ndihmoi në këtë sukses të “Spurs”-ave edhe Pau Gasol me 20 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Houston fitoi derbin e Teksasit me Dallasin 93-92, ku vendimtar për “Rockets”-at rezultoi James Harden me 28 pikë të shënuara. Utah u mund nga LA Clippers 75-88, ndërsa Detroit mundi Milwaukee 98-83.

Top Channel