Alarmi i ndotjes, “UNICEF”: 300 mln fëmijë jetojnë në zona të rrezikshme

31/10/2016 00:00

“UNICEF” ngre alarmin se 300 milionë fëmijë nëpër botë jetojnë në zona me ndotje ekstreme të ajrit. Studimi global tregon një numër të lartë të fëmijëve, që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me lëndët toksike, të cilat aktualisht janë 6 herë më të larta sesa niveli standard i sigurisë ndërkombëtare.

Fëmijët janë më të prirur për t’u prekur nga kjo dukuri. “Target group”-i në fjalë janë veçanërisht në rrezik – thotë raporti i “UNICEF”, – për shkak se marrin frymë më shpejt sesa të rriturit dhe shtresa e qelizave në mushkëritë e tyre është më e depërtueshme nga grimcat ndotëse.

Ndotja e ajrit në vit sjell vdekjen e 600 mijë fëmijëve, më shumë sesa malaria apo virusi i HIV/AIDS. Ndërsa në përgjithësi, mbi 3 milionë njerëz vdesin në vit si pasojë e ndotjes së ajrit – ose 6 në çdo minutë mesatarisht – dhe deri në vitin 2050 pritet që shifrat të rriten edhe më shumë.

“UNICEF” i bën gjithashtu thirrje vendeve pjesëmarrëse në Samitin e Klimës muajin e ardhshëm për të reduktuar djegien e lëndëve fosile. Pothuajse 90% e fëmijëve nëpër botë, ose ndryshe dy miliardë, jetojnë në vendet ku ndotja e ajrit i kalon normat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Afrika dhe Azia mbajnë stafetën, por nuk ngelet pas Europa, ku 120 milionë fëmijë jetojnë në zonat ku ndotja e ajrit ngre këmbanat e alarmit. Numërohen shumë shkolla që janë ndërtuar pranë zonave industriale apo terreneve sportive, ku luajnë fëmijët, çfarë sjell një rrezik edhe më të madh ekspozimi.

Top Channel