“Përgjimet”, mblidhet komisioni hetimor parlamentar

31/10/2016 00:00

Janë 17 funksionarë të lartë publikë, mes tyre edhe drejtorë e ish drejtorë burgjesh në vend, të cilët do të thirren për të raportuar në komisionin hetimor për pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”.

Që në mbledhjen e parë të këtij Komisioni, ku nuk munguan debatet mes palëve. Pjerin Ndreu pati një tjetër propozim se nga duhet të nisë lista e dëshmitarëve.

“Unë mendoj që ta fillojmë nga zanafilla e kësaj historie, thërrasim fillimisht kreun e SHISH, Visho Ajazi Lika, ose Prokurorin e Përgjithshëm që të na japë shpjegime”, deklaroi nënkryetari i Komisionit Hetimor.

Mazhoranca dhe opozita në komision debatuan edhe rreth planit paraprak të hetimit, ku kryetari Noka këmbënguli se për opozitën, Qeveria ka cënuar sigurinë kombëtare.

“Janë zbuluar fakte dhe prova që tregojnë se struktura të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kanë administruar dhe përdorur një pajisje përgjimi të quajtur IMSI Catcher për të përgjuar drejtuar shteti, deputetë, politikanë, diplomatë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë, biznesmenë”, deklaroi kreu i Komisionit, Flamur Noka.
 
“Nëse keni prova dhe fakte përse ja lini Prokurorisë, sepse edhe kjo është një shkelje kushtetuese nga ana juaj sepse ju dini një krim të realizuar dhe nuk e dërgoni në Prokurori”, tha në mbledhje Paulin Stërkaj, anëtar i Komisionit.

Palët nuk ranë dakord as për kohën e përfundimit të punës së këtij Komisioni, kur afati i fundit është shkurti i vitit të ardhshëm.

Top Channel