I paanshëm gjatë karrierës, James Comey vihet në “shënjestrën” e demokratëve

31/10/2016 00:00

Gjatë 25 viteve, James Comey ka qenë një prokuror i ashpër, që ka trajtuar disa prej rasteve më të bujshme, duke ndihmuar në vendosjen e rregullave për mbikëqyrjen amerikane të terroristëve të dyshuar.

Por tani, si drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, ai ka marrë përsipër një prej roleve më të vështira, – siç thotë “Zëri i Amerikës”, – duke e vendosur veten në qendër të vëmendjes në ditët e fundit të garës presidenciale.

55-vjeçari, një figurë e shquar në Departamentin e Drejtësisë nën presidentin republikan George W. Bush dhe shef i FBI-së emëruar nga presidenti demokrat Barack Obama, duket se ka shfaqur gjithmonë një vijë të pavarur.

Tani, kur kanë mbetur më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, Comey njoftoi se FBI-ja kishte vendosur rihapjen e hetimeve lidhur me përdorimin e një serveri privat “e-mail”-esh nga kandidatja demokrate Hillary Clinton, kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Vet ai e kishte arkivuar çështjen në muajin korrik, duke arritur në përfundimin se Clinton ishte treguar e pakujdesshme, por se nuk kishte kryer vepër penale. Vendimi kënaqi pafundësisht republikanët, por nga radhët e demokratëve po shtohen gjithnjë e më shumë zërat kundër numrit një të Byrosë Federale të Hetimeve, që po e akuzojnë atë për ndërhyrje në zgjedhje e për njëanshmëri.

E megjithatë, karriera e Comeyt flet për të kundërtën, sipas “Zërit të Amerikës”. Ai ka ndjekur penalisht anëtarë të familjes Gambino për krime, terroristë të akuzuar për kryerjen e bombardimeve në kullat “Khobar” në Arabinë Saudite në vitin 1996, si dhe drejtues koorporatash të përfshirë në korrupsione financiare.

Ndjenja e pavarësisë përballë këshillave kundërvepruese nga eprorët e tij ka qenë një shenjë dalluese gjatë viteve në krye të institucioneve të zbatimit të ligjit. Në vitin 2004, në administratën “Bush”, ai ishte Prokuror i Përgjithshëm në detyrë, kur eprori i tij John Ashcroft u shtrua në spital.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kërkuan të miratonte ligjshmërinë në aspektet kryesore të përgjimit të terroristëve të dyshuar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, por Comey kundërshtoi. Kur zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë shkuan në spital për të marrë firmën e të sëmurit Ashcroft, për dispozitat e përgjimeve, edhe ai shkoi aty dhe i kundërshtoi këshilltarët presidencialë.

Comey e tërhoqi kërcënimin e tij për të dhënë dorëheqje lidhur me ngërçin, e më pas kur presidenti Bush dëgjoi për kundërshtimet e tij, programit të përgjimeve iu bënë ndryshime.

Top Channel