Milan, 10 pikë vetëm falë pritjeve të portierit Donnarumma

31/10/2016 00:00

Minuta e 62-të e ndeshjes Milan-Pescara ishte një drithërimë për tifozët kuqezinj, megjithatë ajo që ndodhi ishte një “déjà-vu”. Gigio Donnarumma “fluturoi” dhe me dorën e stërzgjatur devijoi mbi traversë një gjuajtje të fuqishme me të djathtën të mesfushorit shqiptar Memushaj, duke ruajtur të paprekur avantazhin minimal 1-0 të kuqezinjve.

Një aksion thuajse identik ishte edhe ai i një jave më parë, sërish në “San Siro”, kur “Gigio”, siç e thërrasin me përkëdheli, i ishte përgjigjur një gjuajtje të Khediras në minutën e 96 të takimit, që përfundoi sërish 1-0 për Milanin, 3 pikë të vyera ndaj Juventusit kryesues.

Pritjet spektakolare, por mbi të gjitha vendimtare, i kanë dhënë pikë të vyera Milanit, i cili nëse sot renditet në zonën e “Champions”-it, kjo vjen edhe falë meritës së portierit të vitlindjes 1999.

Milani i Vincenzo Montellës i ka dhënë që nga java e parë sinjalet mbi tipologjinë e lojës, fokusi në sulm për të shënuar sa më shumë të munden, si dhe rreziqe në mbrojtje, të cilat shpeshherë kanë sfumuar në minutat e fundit nga Donnarumma.

Gjithçka nis nga ndeshja me Torinon në javën e parë, kur “Gigio” priti penalltinë e Belottit në minutën e 96. Milani fitoi 3-2, ku një meritë pati edhe Carlos Bacca për trigolëshin e shënuar, por që mund të mos merrej parasysh nëse Donnarumma nuk do të kishte shpëtuar rezultatin në fund.

Ndeshja më e çuditshme ishte ajo me Sassuolon, ku pati përmbysje dhe kundërpërmbysje. Ai takim do të kujtohet për supergolin e Locatellit, i pari gol për të në Serie A dhe që e çoi rezultatin momentalisht në 3-3. Por pas golit të avantazhit të shënuar nga Paletta me kokë, Sassuolo mund të rigjente barazimin nëse “Gigio” nuk do t’i thoshte “Jo” Politanos.

Donnarumma, gjithsesi, ka rezultuar vendimtar edhe me pritje jo shumë spektakolare, por plotësisht efikase dhe fundamentale për rezultatet që ka arritur deri më sot Milani. Ndaj Lacios, përpara golit të Bacca, “Gigio” kishte pritur disa raste. Një gjë e ngjashme edhe në “Marassi” kundër Sampdorias, një javë më pas. Bacca firmoste golin “3-pikësh”, por Donnarumma u kishte mohuar golat Torreiras dhe Barretos. Me Fiorentinën ishte Iliçiç që gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit, ndërsa “Gigio” bëri një pritje fenomenale ndaj Borja Valero.

Ndaj, nga 22 pikët e siguruara deri më tani nga skuadra e Montellës, plot 10 pikë mbajnë firmën e portierit 17-vjeçar. Kjo pasi diferenca mes një fitoreje dhe një barazimi është bërë pikërisht nga ndërhyrjet e tij, i cili nga specialistët është konsideruar thjesht i pakalueshëm. Dhe me një portier të tillë, mbajtja e vendit të tretë është një mision më pak “i pamundur” për kuqezinjtë.

Top Channel