Inter, De Boer në “ditën e gjykimit”…Pioli, Guidolin apo Blanc?

31/10/2016 00:00

Pesë humbje dhe vetëm 14 pikë në 11 ndeshjet e para të kampionatit të Serie A janë të pamjaftueshme. Fati i Frank De Boer pritet të vendoset pikërisht nga këto shifra. Arritje aspak të kënaqshme për një klub që e kishte përzgjedhur “symbyllurazi” teknikun holandez.

Humbja me Sampdorian duket se është vendimtare. Trajneri i zikaltërve, i cili fajësohet edhe për faktin se ka injoruar shpesh lojtarët për të cilët janë shpenzuar miliona euro, duket se do t’i thotë lamtumirë Interit.

Pritet vetëm një bisedë mes drejtuesve më të lartë të klubit me “Suning” dhe Thohir, e më pas gjithçka do të ndryshojë. Por cilët janë emrat më të lakuar për ta pasuar holandezin?

Javët e fundit janë kontaktuar një sërë trajnerësh, emra të njohur si Pioli dhe Guidolin, të cilët mund të ulen nga ky moment në pankinën e Interit, pasi nuk kanë ekip, por edhe braziliani Leonardo, i cili është i fundit që ka fituar një trofe me Interin, Kupën e Italisë. Por ky i fundit kërkon garanci, në mënyrë që në qershor të kalojë në rolin e drejtuesit, si përgjegjës i sektorit teknik.

Është përmendur gjithashtu edhe emri i Blanc, me të cilin duket se ka një akord, por francezi nuk dëshiron të “shfrytëzohet” vetëm për 6 muaj.

Kur mbeten pak orë nga vendimi për holandezin De Boer, pyetja më e rëndësishme është: të ndërrohet trajneri përpara ndeshjes me Southamptonin, apo të pritet pas saj?

Top Channel