Tërmetet, ekspertët: Nuk ka më qytete historike në qendër të Italisë

30/10/2016 00:00

Nuk ka më qytete historike në qendër të Italisë, kështu raportojnë ekspertët ndërsa vendi ka marrë goditjen më të fortë të tërmetit në 36 vitet e fundit. Kryeministri Italian Matteo Renzi e përshkroi si “zemrën e Italisë” atë që është shkatërruar në një pjesë të gjerë, por fatmirësisht fakti që deri tani nuk janë shënuar viktima erdhi për shkak se ndërtesat ishin evakuuar thuajse tërësisht nga tërmeti i muajit gusht dhe që i kushtoi jetën 300 personave.

Megjithatë lëvizja sizmike e mëngjesit të së dielës prej 6.6 ballësh, plagosi të paktën 20 persona. Zona më e dëmtuar është ajo e Norcias pasi epiqendra e tërmetit ishte vetëm 6 km larg saj.

Ndër shumë dëme materiale që u shënuan ishte edhe bazilika e Shën Benediktit. Që prej shekullit të 14 ajo i kishte rezistuar të gjitha viteve që kalonin. Bazilika është konsideruar si një nga vendet më të rëndësishme shpirtërore të rajonit.

Po ashtu mësohet se edhe fshatrat e Castelsantangelo dhe Preci kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Nga mesha e se dielës në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Françesku dërgoi lutjet e tij.

Tashmë problem i madh dhe alarmant konsiderohet strehimi i banorëve. Disa prej tyre kishin filluar të rindërtonin ato pak mure që kishin ngelur pas tërmetit të muajit gusht, por goditja e kësaj të diele rezultoi të ishte fatale.

Ndërkaq rreth 15 mijë njerëz kanë ngelur pa energji elektrike. Ekspertët flasin për një fenomen sizmik në vazhdim të tërmetit të gushti dhe të javës së kaluar e që rrezikon të vazhdojë.

Top Channel