Numrat e Cristianos, kritikët po e quajnë “Penaldo”

30/10/2016 00:00

E shtuna ishte një takim special me statistikat për Cristiano Ronaldon, futbollisti portugez i Realit të Madridit që ndaj Alaves festoi finishin e 350 golave në kampionat.

Anësori luzitan dhe kapiteni i kombëtares portugeze që po shënon muaj pas muaji rekorde të reja me fanelën e “blancos”, konvertoi në gol një penallti, humbi një tjetër dhe tundi dy herë sërish rrjetën në një tripletë fantastike ndaj skuadrës baske.

Por ka shumë kritikë që thonë se një numër i konsiderueshëm golash të lehtë, për portugezin vijnë nga pika e bardhë e 11 metrave, aq sa ta pagëzojnë me emrin “Penaldo”.

Saktësisht 20% e të gjithë finalizimeve të Cristianos kanë ardhur nga pika e 11 metërshit. Ronaldo ka shënuar 53  gola nga penalltia, në një total prej 265 golash të tij me Realin në La Liga.

Kjo përqindje bie ndjeshëm në analizën për Ligën e Kampioneve. 10 prej 80 golave të Cristianos në Europë janë vetëm 12.5 e finalizimeve.

Nëse në konsideratë merret edhe Kupa e Mbretit në Spanjë, Ronaldo ka shënuar 3 nga 21 gola me penallti dhe kjo çon totalin në 66 finalizime nga pozicioni i lehtë, në 371 gola në total me “merenges”.

Top Channel